Ambasada britanike organizon ditën e hapur në Kukës

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Ambasada britanike në Shqipëri organizoi sot ditën e hapur në Kukës.
Ambasadori britanik, Alastair King-Smith ishte në qytetin verilindor, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe partnerët që vënë në zbatim programe dhe nisma për të ndihmuar veriun e Shqipërisë të arrijë potencialin e tij.
Ambasadori britanik, Alastair King-Smith me ministrin Gonxhja vizituan panairin dhe përfaqësuesit lokalë dhe mësoi më shumë rreth punës së partnerëve, e financuar nga Mbretëria e Bashkuar për të përmirësuar jetën e njerëzve në veri të Shqipërisë.
Gjatë vizitës së tij në Kukës, ambasadori King-Smith iu bashkua Atasheut Ushtarak, Timothy Wight-Boycott për të vizituar tunelet tashmë të njohura nëntokësore dhe diskutoi mbi mundësitë që bashkia ka për përdorimin e tyre në të ardhmen.
Ministri Gonxhja shprehet se “Kukësi ka sot një vëmendje të veçantë, si një zonë me resurse të shumta, për të rritur ekonominë lokale përmes maksimalizimit të të gjitha kapaciteteve. Do të vijojmë të mbështesim, jo vetëm Kukësin, por të gjithë veriun, zonat malore e rurale, si një mision i rëndësishëm për vendin, turizmin dhe zhvillimin e komuniteteve”. Gonxhja falënderon të gjithë aleatët që po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, në promovimin kulturor dhe projektet inovative me brezin e ri, kaq i talentuar dhe shumë premtues.Mbretëria e Bashkuar thekson se është e gatshme të mbështesë projektet që nxisin perspektivat ekonomike të rajonit të Kukësit.