Ambasada e Kuvajtit feston Ditën e Pavarësisë dhe Çlirimit

Për herë të parë ambasada kuvajtjane ka festuar në vendin tonë Ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit. Në pritjen e organizuar nga ambasadori Najeeb Abdurrahman al Bader, kanë qenë të pranishëm liderët e politikës shqiptare, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, por edhe ambasadorë të shumtë të akredituar në Tiranë, ia i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorja britanike.
Në këtë ditë të shënuar për shtetin kuvajtjan kanë qenë të ftuar edhe përfaqësues të biznesit, të medias dhe të jetës publike në vend.
Me këtë rast ka përshëndetur ambasadori kuvajtjan i cili e ka cilësuar këtë festë që organizohet për herë të parë në vendin tonë si shumë të rëndësishëm edhe për sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Shteti i Kuvajtit është një prej vendeve që kanë investimet më të larta në vendin tonë, investime këto që janë rritur ndjeshëm sidomos gjatë viteve të fundit. Vetëm fondi i zhvillimit ekonomik të Kuvajtit ka alokuar 80 milionë dollarë në vendin tonë për realizimin e disa projekteve ku më i rëndësishmi është ai për rehabilitimin e sheshit Skëndërbej si dhe projekte për infrastrukturën rrugore në vend.