E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrin në atdhe trupi i Feti Voglit, nis ceremonia mortore në Baldushk

Trupi i pajetë i Dëshmorit të Atdheut, Feti Vogli, ka mbërritur në atdhe. Kapiteni paqeruajtës që u vra 4 ditë më parë në Afganistan është sjellë rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në Shqipëri me një avion të NATO-s.

Familja Vogli në Baldushk të Tiranës ka katër ditë që ka hapur dyert e mortit, ku ceremonia e homazheve do të zhvillohet deri në orën 10:00.

Më pas, trupi i Dëshmorit të Atdheut do të transportohet drejt Pallatit të Kongreseve, ku do të zhvillohen homazhet me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Feti Vogli do të përcillet për në banesën e fundit rreth orës 13:00. Ai do të varroset në Varrezat e Dëshmorëve .

Kapiteni Feti Vogli u vra 4 ditë më parë në Afganistan gjatë një sulmi të papritur. / G. Ndoja

* * *

Ministria e Mbrojtjes i akordon titullin Dëshmor i Atdheut kapitenit Feti Vogli, i cili u vra 4 ditë më parë gjatë një sulmi në Afganistan.

Në një njoftim për shtyp të dhënë 3 ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se varrimi i Kapitenit Feti Vogli do të bëhet në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit, ndërsa në lidhje me detajet e tjera të ceremonisë mortore do të shprehet pas përcaktimit të kohës së mbërritjes në atdhe të trupit të tij.

Gjithashtu, në njoftimin për shtyp, Ministria e Mbrojtjes jep me detaje dinamikën e ngjarjes në Afganistan.

Më datën 20. 02. 2012 në orën 16. 30 sipas orës lokale të Kandaharit, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin SHADIZI ROBAT në afërsi të Bazës Ushtarake në SPIN BOLDAK, Grupi i Parë Special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane.

Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje. Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evekuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti VOGLI nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit.

Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë, autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës18:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve. Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se Nëntetar Aleksandër Peci kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë.

Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 20:30 të datës 20. 02. 2012. pasi ishte njoftuar më parë familja e Nëntetar Aleksandër Pecit. Rreth orës 23.00 të datës 20. 02. 2012 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA ka njoftuar publikun përmes një komunikate tjetër në të cilën i është përcjellë publikut lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Nëntetar ALEKSANDËR PECIT, pasi ishte njoftuar më parë familja e tij, tha Gjeneral Brigade, Viktor Berdo, Komandant i Forcës Tokësore, gjatë komunikimit me mediat.

Topi: Vlerësimet më të mëdha për dëshmorin Feti Vogli

Presidenti Topi ka vizituar sot familjen e Feti Voglit në Bladushk të Tiranës. Në mesazhin e tij ngushëllues, kreu i shtetit e ka vlerësuar figurën e dëshmorit Vogli, duke theksuar se pavarësisht këtij kurthi për trupat paqeruajëse shqiptare, misioni ynë atje do të vijojë.

Shpreh vlerësimet më të mëdha për një dëshmor si Feti Vogli. Ai ka marrë pjesë me dinjitet në tre misione në Afganistan. Ngjarja ishte një kurth për forcat tona, por misioni ynë në Afganistan do të vazhdojë, theksoi Topi.

Arvizu: Duhet të jeni krenarë për birin tuaj

Familja Vogli është vizituar edhe nga ambasadori amerikan Aleksander Arvizu, i cili është shprehur se prindërit e tij duhet të jenë krenarë për të birin.

Djali juaj vdiq për një qëllim dhe ju duhet të jeni krenarë për atë se çfarë ai ka bërë, theksoi ambasadori Arvizu në mesazhin e tij ngushëllues.

 Topalli: Dhimbje për heroin Feti Vogli  

Kryeparlamentarja Topalli ka ngushëlluar  familjen e Feti Voglit, komando paqeruajtës, i cili mbeti i vdekur dje gjatë një sulmi në Afganistan.

Në mesazhin e saj, Topalli shprehet se Feti Vogli përfaqësoi të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë, si vend i NATO-s, me sakrificën e jetës së tij të re.

“Të gjithë shqiptarët janë krenarë për misionin dhe detyrën e tij. Çdo shqiptari i duket sikur ka humbur njeriun e familjes se tij. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shpreh ngushëllimet më të thella, më të sinqerta familjes së Kapiten Feti Voglit, dhimbjen më të thellë për këputjen e jetës së një djali të ri, të një prindi të ri, të një heroi shqiptar”, thuhet në mesazhin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

Rama: Humbje e madhe për kombin

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, zhvilloi ditën e sotme një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e familjes së kapiten Feti Vogli, efektiv i forcave të kontingjentit Eagle 4 në Afganistan, i cili ra dje në krye të detyrës, në Kandahar.

Kreu opozitar u shprehu familjes ngushëllimet për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur. Rama e cilësoi këtë humbje të madhe për familjen dhe kombin tonë. Ky reagim u përcoll dhe në rrjetin social Twitter, ndërsa kryesocialisti ka deklaruar: Dhimbje e madhe në familjen e varfër të dëshmorit Feti Vogli, por dhe dinjitet i madh njerëzor e atdhetar. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›