Berisha pranon humbjen: Jap dorëheqjen nga çdo funksion në PD. I uroj kundërshtarit mbarësi (VIDEO+ FJALIMI)
Kryeministri thotë se do qëndrojë si kryetar i PD deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Berisha: Përgjegjësia e humbjes është vetëm e imja
Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, ku është pritur me thirrje Fitore, fitore.
Dhjetëra të rinj të forumit rinor të PD ishin mbledhur përpara selisë, duke vështirësuar hyrjen e Berishës brenda.
Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur pasi në seli kanë ardhur edhe të tjerë drejtues dhe zyrtarë të PD.
Në një fjalim të mbushur me emocione, por edhe me lot, kryeministri Sali Berisha shpalli se pranon humbjen e këtyre zgjedhjeve, por shtoi se ai do të japë dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PD.
Por Berisha tha se kjo nuk është një lamtumirë, pasi ai do jetë anëtar i PD-së dhe nuk do bëjë kurrë një fjalim lamtumirë.
Fjalimin e ka lexuar nxitimthi, si asnjëherë tjetër në historinë e tij, pa ngritur asnjëherë sytë nga kamerat, duke ngatërruar fletët dhe duke pirë ujë shpesh.
Berisha tha se i uron kundërshtarit mbarësi dhe shtoi se uron që qytetarët shqiptarë të kenë një jetë më të mirë.
Berisha tha se përgjegjësia për humbjen është vetëm e atij.
Më pas kryeministri lexoi arritjet e qeverisjes së tij, madje duke premtuar ndonjëherë se në mandatin e ri do të bëjë edhe më shumë.
FJALIMI
Të dashur demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë,
mbështetës të Partisë Demokratike,
shqiptare dhe shqiptarë në Shqipëri edhe kudo që jeni,
Sot jam para jush për një mesazh, por dua të theksoj një mesazh pak të vonuar, për faktin e vetëm se kam dashur të respektoj punën me vetëmohim të madh të komisionerëve tanë në numërimin e votave, proces i cili po shkon në kutitë e fundit.
Më së pari, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të pakufishme ndaj qindra mijëra qytetarëve shqiptarë, të reja dhe të rinj, burra dhe gra, fëmijë dhe të moshuar, që më shoqëruan mua nga Koshovica në Tropojë, me mikpritjen më të çiltër, më fisnike, më entuziaste që kam provuar ndonjëherë. Në shi dhe rrebesh, në vapë dhe pikë të diellit, herët në mëngjes dhe vonë në darkë, ne shtrënguam duart njëri me tjetrin, shkëmbyem mendime, ndoqën me vëmendje alternativën tonë, brohoritën me entuziazëm në mitingjet tona dhe më bënë mua si dhuratën më të çmuar fushatën elektorale më të pasur, ndofta më të bukurën e më masive të jetës sime. Unë personalisht, njëlloj si ata, jam përpjekur të bëjë më të mirën. Kam punuar me energji, përkushtim dhe entuziazëm, edhe më të madh se në shumë fushata të tjera.
Por unë sot dua të përulem me nderimin më të madh para militantëve, anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike për sakrificën e mundin, djersën e tyre në këtë fushatë dhe në të gjitha fushatat. Ata janë energjia e pashtershme e Partisë Demokratike dhe të gjitha betejave të saj. Shfrytëzoj rastin të falënderoj përzemërsisht kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, shtabet e tyre elektorale, komisionerët tanë për përkushtimin e tyre të madh në këto zgjedhje.
Dua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë qytetarët shqiptarë që në këto zgjedhje votuan për Partinë Demokratike, kandidatët e saj, vendosën besimin e tyre tek Partia Demokratike dhe Sali Berisha, si dhe çdo shqiptare dhe shqiptar që mori pjesë në këto zgjedhje, duke nderuar me votën e tij sistemin tonë pluralist.
Të dashur demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë që keni mbështetur edhe mbështesni Partinë Demokratike,
Unë e di se sot, të gjithë ju, ndiqni jo pa trishtim këtë fjalën time. Dhe kjo është e ligjshme, sepse ju, me të drejtë, prisnit dhe meritonit sot një fjalë tjetër nga unë. Por unë jam këtu, para jush, jo për të komunikuar rezultatin e zgjedhjeve, sepse ai tashmë është i qartë për çdo njeri dhe, natyrisht, i pranuar nga unë edhe Partia Demokratike, por jam para jush për tju njohur ju me një vendim tim.
Në karrierën time politike më shumë se dy dekada, unë në çdo pozicion që kam patur, e kam ndjerë veten si shërbëtor i juaj dhe vendit tim edhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh të jetës sime. Kam bërë gjithçka të përmbush me përkushtim, nder dhe dinjitet detyrimet e mija ndaj jush, duke qenë gjithnjë i vendosur se do të largohesha nga postet e mia ditën e parë që unë të konstatoja se arsyet shëndetësore nuk do të më lejonin të përmbush detyrimet ndaj jush. Lavdi Zotit, kjo nuk ndodhi. Energjitë e mia sot janë po ato që kam patur 20 vjet më parë.
Por përveç kësaj, unë gjithnjë kam qenë i vendosur ti bindem plotësisht verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Unë u përkas atyre politikanëve që besojnë se ai nuk gabon, që beson se ai ka gjithnjë të drejtë. Në këto zgjedhje ne paraqitëm para qytetarëve shqiptarë një program konkret për finalizimin e projektit: Shqipëria vend i zhvilluar, rritjen e rrogave dhe pensioneve, krijimin e mbi 200 mijë vendeve të punës, punësimin me përparësi të të rinjve, mbështetje të fuqishme për bizneset dhe fermerët, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mirëpo, qytetarët votuan në shumicë projektin e kundërshtarit tonë, të bazuar në premtimet që ne nuk mund ti bënim si: shërbimet shëndetësore falas për të gjithë, heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe TVSH-së për ushqimet dhe uljen e taksave për 95 përqind të qytetarëve. Këto premtime ne nuk mund ti bënim, sepse ato bien ndesh me filozofinë dhe parimet që ne besojmë, bien ndesh me konkurrencën e ndershme, me lirinë ekonomike, me barazinë sociale. Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fituesit të zgjedhjeve mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë.
Miqtë e mi, në këtë fushatë ju keni punuar fort, me sakrifica dhe përkushtim të madh. Sikundër unë jam përpjekur me mish e shpirt të bëj më të mirën për fitoren tonë. Por kjo nuk ndodhi. Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua, se për këtë humbje e tërë përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua, Sali Berishën.
Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtetë më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike, të jem thjeshtë njëri prej jush, anëtar i i PD-së dhe deputet i saj, të punojë me përkushtim të madh së bashku me ju d