Kreditimi i sektorit privat po orientohet gjithnjë e më shumë drejt lekut

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Kredia për sektorin privat vijoi të zgjerohet me ritme të shpejta, duke shënuar një rritje vjetore prej 15,4% gjatë muajve korrik-gusht, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në 3,7%, niveli më i ulët pas krizës financiare botërore.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit.
“Kjo ecuri është pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat”, u shpreh Sejko, duke nënvizuar se kreditimi vijon të mbështesë investimet e bizneseve, blerjen e banesave dhe konsumin familjar.
Sipas tij, kreditimi i sektorit privat po orientohen gjithnjë e më shumë drejt lekut, ndërsa treguesit e cilësisë së portofolit vijojnë të përmirësohen.
Sa i takon inflacionit, përditësimi i parashikimeve të Bankës së Shqipërisë sugjeron se ai pritet të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim, por rritja parashikohet të jetë e moderuar dhe e përkohshme.
Sipas projeksioneve, duke nisur nga mesi i vitit të ardhshëm, inflacioni pritet të rikthehet gradualisht drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të zgjerohet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, i mbështetur nga bilancet e sektorit privat, kushtet e favorshme financiare, të ardhurat nga turizmi dhe pritjet pozitive për të ardhmen.
Banka e Shqipërisë vlerëson se një ndër faktorët kryesorë të pasigurisë mbeten tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të cilat mund të ndikojnë në çmimet e produkteve bazë dhe, për rrjedhojë, në inflacionin dhe rritjen ekonomike.
Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në 1,5% dhe normën e interesit të kredisë njëditore në 3,5%.
/e.i/j.p/r.e/