Ambasada e SHBA-së: Kujdes nga tubimi i PD-së në 20 shkurt

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paralajmëron qytetarët e saj për tubimin e Partisë Demokratike që do të zhvillohet ditën e diel.
Në një njoftim të publikuar në faqen e internetit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, kjo e fundit, kërkon nga qytetarët e saj që të shmangin zonat ku do të zhvillohet tubimi.
“Partia Demokratike e Shqipërisë ka lajmëruar zhvillimin e një mitingu të dielën në 20 shkurt 2011. Ambasada nuk ka informacion specifik për vendin apo zonën ku do të zhvillohet mitingu. Më parë mitingjet publike kanë prekur të gjitha arteriet e qytetit dhe zakonisht përreth Parlamentit, Kryeministrisë dhe bulevardit, “Dëshmorët e Kombit”. Personeli i Ambasadës së SHBA është këshilluar që të shmang çdo kalim në zonën e demonstratave dhe të limitojnë çdo udhëtim gjatë kohës së zhvillimit të protestës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.
Gjithashtu ambasada thekson se përvoja e 21 janarit nuk e përjashton mundësinë e ushtrimit të dhunës në protesta.
“Edhe pse ka pasur shumë protesta paqësore gjatë kohëve të fundit, demonstrata e datës 21 janar kishte dhunë dhe rezultoi me 4 të vdekur dhe shumë të plagosur, mes tyre dhe punonjës të forcave të rendit. Ne ju kujtojmë qytetarëve amerikane se edhe pse demonstratat kanë si qëllim që të jenë të qeta, ato mund të kthehen në të dhunshme dhe të paparashikueshme. Ju duhet t’i shmangni ato, nëse është e mundur”, thekson ambasada e SHBA-së në Tiranë.