E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan: Moszgjidhja e krizës rrezikon integrimin

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore Eduard Kukan ka deklaruar se moszgjidhja e krizës politike në vend vë në rrezikon integrimin e vendit. Në një intervistë për DË, Kukan theksoi se për të vazhduar rrugën e saj evropiane, Shqipëria në fillim duhet të gjejë një zgjidhje politike për të dalë nga kriza.
 

“Parlamenti Evropian në debatin e tij, më 15 shkurt, i bëri thirrje elitës politike të Shqipërisë të ketë parasysh interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të mos rrezikojë perspektivën e anëtarësimit në BE. Komisioneri i Zgjerimit Stefan Fule, në fjalën e tij në PE, paraqiti hapat që duhet të ndërmerren nga politikanët shqiptarë për t`iu rikthyer kësaj perspektive. Mendoj se ky debat në PE ishte pozitiv, konstruktiv, pasi të gjithë europarlamentarët shprehën mbështetje të plotë për veprimet e Komisionit Evropian”, theksoi Kukan.
 

Ai gjithashtu theksoi se është e nevojshme që drejtuesit politikë të Shqipërisë të gjejnë mënyrën sesi të veprojnë. “Në krye tani qëndrojnë zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 majit, organizimi dhe zhvillimi i tyre në atë mënyrë që ato të plotësojnë kriteret demokratike evropiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që rezultati i tyre të mos vihet në dyshim. Prandaj është e domosdoshme që në Kodin Elektoral të Shqipërisë të plotësohen të gjitha sugjerimet, gjithsej 31, të OSBE/ ODIHR-it. Nisur nga koha e shkurtër që ka mbetur, duhet punuar shpejt për t`i realizuar ato brenda afatit kohor për datën e caktuar të zgjedhjeve lokale me 8 maj”, theksoi më tej Kukan.

Gjithashtu kreu i delegacionit të PE-së, ka theksuar se janë një program masash që Komisioni Europian kërkon të negociojë me drejtuesit politikë të Tiranës.
 

“Kryesoret: funksionimi i institucioneve demokratike, hetimi i pavarur për ngjarjet e 21 janarit dhe zgjedhje të ndershme dhe të lira lokale PE po e mbështet plotësisht KE në këtë ndërmarrje. Ky është një moment i ri, kur institucionet europiane po veprojnë të bashkuara, flasin të njëjtën gjuhë, dërgojnë të njëjtin mesazh politik. Mendoj se kjo është garancia për daljen nga kriza politike”, vijon ai.

I pyetur mbi protestat e opozitës, Kukan tha se dialogu politik duhet të zhvillohet në institucione, që janë të zgjedhura në mënyrë demokratike, në Parlament dhe jo në rrugë. “Kjo është tepër e rëndësishme. Sa për zgjedhjet lokale, lideri i opozitës Rama është shprehur në Strasburg se është i gatshëm të marrë pjesë në to. Le të shohin sesi do të zhvillohet situata pasi vërtet ka afate që duhen respektuar në përputhje me Kodin Elektoral. Por po theksoj përsëri: mënyra sesi do të organizohen dhe zhvillohen zgjedhjet lokale është një tregues shumë i rëndësishëm për progresin e Shqipërisë drejt perspektivës evropiane”, theksoi më tej Kukan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›