Ambasada e SHBA-së kërkon zbatimin e ligjit për Hoçën e Madhe

Përfaqësuesit e ambasadës së SHBA në Kosovë Tanya Urquieta, dhe Monica Bland, u pritën nga kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Në takimin u bisedua lidhur me zbatimin e projekteve të USAID-it në komunën e Rahovecit, si dhe mundësinë e zgjerimit ë investimeve amerikane në komunë.
Kryetari Latifi tha se bashkëpunimi me USAID-in, ka qenë mjaft intensiv dhe ka rezultuar me sukses të madh, transmeton preizrenpress.
“Tashmë janë realizuar investime të rëndësishme, si në fushën e demokratizmit të shoqërisë, rritjen e shërbimeve për qytetarët dhe transparencën komunale. Ne i jemi shumë mirënjohës popullit amerikan për ndihmën e ofruar dhe i sigurojmë se këto investime kanë shkuar në vendin e duhur”, tha Latifi.
Sipas tij, nga këto projekte kanë përfituar edhe qytetarët e komunitetit serb e RAE që jetojnë në komunën e Rahovecit.
Monica Bland, ndërkaq kërkoi të formohet Këshilli i fshatit Hoçë e Madhe, që rrjedh nga ligji për këtë fshat i miratuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës.
“Zbatimi i këtij ligji është i rëndësishëm për komunën e Rahovecit dhe hap mundësi të reja për qytetarët tuaj”, tha Bland.
Ajo tregoi se për vitin 2013 janë planifikuar investime të shumta në këtë komunë, ndonëse shfaqja e krizës financiare në SHBA ka ndikuar në rishikimin e fondeve që i jepen Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar. “Megjithatë ndihma për Kosovën nuk do të mungojë edhe në të ardhmen”, theksoi Bland.
Në takim mori pjesë edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës Xhemajli Haxhimustafa, ndërsa u ra dakord që në mbledhjen e radhës të janarit të Kuvendit do të procedohet për diskutim emërimi i dy anëtarëve të Këshillit nga Kuvendi, ndërsa tre të tjerë do të zgjidhen nga komuniteti serb i Hoçës së Madhe./Indeksonline/