E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni grumbullimet, situata mund të përshkallëzohet

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një alarm sigurie për protestën e dhunshme në kryeqytet, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për rrezikun e përshkallëzimit të situatës pranë institucioneve qeveritare.

Në njoftimin e saj, ambasada bën të ditur se protesta në Rrugën e Durrësit, pranë sheshit “Skënderbej”, është kthyer në protest të dhunshme pas hedhjes së gurëve.

Ambasada thekson se, situata mund të përhapet në zonat përreth dhe pranë ndërtesave qeveritare, duke sjellë shtim të pranisë policore, ndërprerje të trafikut, devijime dhe bllokime rrugësh.

“Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat”, thuhet në njoftim.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të vendosin sigurinë personale në plan të parë, duke ndjekur mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve vendore për informacionet më të fundit.

Ndër masat e rekomanduara janë shmangia e demonstratave, vëmendja ndaj mjedisit përreth, kufizimi i shpërqendrimeve gjatë lëvizjes në ambiente publike dhe mbajtja e një plani emergjence ose strategjie largimi.

Përfaqësia diplomatike këshillon gjithashtu qytetarët amerikanë të shmangin tërheqjen e vëmendjes gjatë situatës së krijuar.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›