Gogu: U dogj Zyra e Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë, shërbimi do të vijojë

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu bëri të ditur se gjatë protestës së sotme në Tiranë janë thyer xhamat e Ministrisë së Drejtësisë dhe është djegur Zyra e Ndihmës Juridike Falas.
Në një reagim publik, Gogu tha se fatmirësisht asnjë punonjës nuk është lënduar, ndërsa falënderoi zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë që ndërhynë për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të kufizuar dëmet.
Ministri theksoi se zyra e djegur ofronte shërbime për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat, përfshirë pensionistë, nëna të vetme, të rinj dhe viktima të dhunës.
“Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria. E pësojnë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ndihmë”, u shpreh Gogu.
Ai nënvizoi se djegia e një zyre publike nuk mund të konsiderohet ushtrim i së drejtës së protestës, ndërsa përgjegjësitë individuale, sipas tij, duhet të përcaktohen nga organet kompetente, në përputhje me ligjin.
Gogu theksoi gjithashtu se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punësimin dhe të ardhmen e tyre, duke nënvizuar se ata nuk duhet të identifikohen me personat që përdorin dhunën.
Ministri bëri të ditur se shërbimi i ndihmës juridike falas do të vijojë edhe nesër, ndërsa qytetarët mund ta marrin atë te hyrja e Ministrisë së Drejtësisë ose përmes numrit pa pagesë 0800 10 10.
“Zyrën do ta rindërtojmë. Shërbimi nuk ndalet”, përfundoi Gogu.
1 nga 8/gj.m/r.e/