E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Dhuna dhe sulmet ndaj institucioneve dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi se pamjet e dhunës dhe shkatërrimit të pronës gjatë protestës në Tiranë dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe mesazhin e stabilitetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian, duke fituar më shumë besim dhe respekt ndërkombëtar.

“Pikërisht për këtë arsye, pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë e sotme dhe as atdheun që synojmë të ndërtojmë për nesër”, shkroi ministri.

Hoxha u shpreh se, imazhi ndërkombëtar i vendit është ndërtuar ndër vite, por mund të cenohet lehtësisht nga aktet e dhunës ndaj institucioneve dhe pronës publike e private.

Hoxha theksoi se, “ҫdo pamje dhune ndaj institucioneve, pronës publike apo asaj private dobëson mesazhin e stabilitetit, dëmton perceptimin e Shqipërisë si një vend i sigurt për turistët dhe investitorët dhe hedh hije e dyshime mbi aftësinë tonë të përbashkët për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë; dhuna jo”, theksoi ai.

Në përfundim, ministri nënvizoi se askush nuk duhet të dëmtojë një pasuri që u përket të gjithëve, emrin dhe imazhin e Shqipërisë.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›