Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin për kushtetutshmërinë e Komisionit të PD-së Rama 2
Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Bashkisë së Tiranës për ta cilësuar antikushtetuese nismën e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit hetimor Parlamentar “Rama 2”. Gjatë mbledhjes së djeshme anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dëgjuar pretendimet e palëve. Përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës pretenduan se ngritja e këtij komisioni cenon rëndë pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe prek autonominë lokale. Sipas tyre, Komisioni mund të shohë zbatimin e ligjeve të veçanta, por nuk mund të ndërhyjë në dhënien e vendimeve të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës. Avokatët e Bashkisë thanë se janë institucione të tjera kushtetuese si Kontrolli i Lartë i Shtetit apo Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ato që mund të bëjnë hetimin administrativ dhe nëse konstatohen shkelje ose parregullsi në dhënien e lejeve të ndërtimit, ato mund të pezullohen vetëm me vendim gjykate. Më tej avokatët e Bashkisë së Tiranës kërkuan anulimin e vendimit të Komisionit Parlamentar për pezullimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga KRRT-ja e Tiranës.
Ndërsa përfaqësuesit e Kuvendit u shprehën se kërkesa nuk bazohet në ligj dhe duhet rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Komisioni hetimor, në raportin e tij më 23 prill 2009, konstatoi shkelje të procedurave të dhënies se lejeve të ndërtimit nga KRRT-ja e Tiranës dhe vendosi pezullimin e tyre. Ndërkaq, gjatë mbledhjes së djeshme, Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, u tërhoq për të marrë vendimin që do ta bëjë publik në mbledhjen e ardhshme, nëse do ta pranojë ose jo kërkesën e Bashkisë së Tiranës për ta cilësuar antikushtetues Komisionin hetimor. Ky komision u ngrit vetëm me votat e PD-së dhe në mbledhjet e tij morën pjesë vetëm deputetët e PD-së.
8 Korrik 2009