E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e ShBA-së: Po shqyrtojmë kërkesën për asistencë

Tiranë- Ambasada Amerikane në Tiranë ka pranuar dje se Prokuroria shqiptare ka kërkuar asistencë për ekspertimin e videos Meta-Prifti, por thotë se kjo kërkesë zyrtare është ende duke u shqyrtuar. Nëpërmjet një deklarate për mediat, zëdhënësi i kësaj ambasade pohoi dje se kërkesa e Prokurorisë është bërë ditën e premte, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare nëse ekspertët e kërkuar do të asistojnë në zgjidhjen e çështjen mbi autenticitetin e filmimit, i cili deri më tani është konsideruar si montazh nga eksponentë të mazhorancës. “Zëdhënësi i Ambasadës së ShBA-ve vë në dukje që të premten pasdite Ambasada ka marrë një kërkesë për asistencë dhe është duke e shqyrtuar atë” - thuhet në deklaratën për media të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kjo kërkesë e Prokurorisë shqiptare vjen pas deklaratave të shpeshta ditët e fundit, të cilat e konsiderojnë këtë video-përgjim si montazh për interesa të caktuara politike. Për të shuar të gjithë zërat pro dhe kundër, njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës ka vendosur të kërkojë ekspertë të huaj, të cilët do të analizojnë vërtetësinë e përmbajtjes së videos dhe do të japin verdiktin përfundimtar mbi autenticitetin e këtij regjistrimi. Lidhur me këtë kërkesë, burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme pohuan se kanë kërkuar asistencën e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), për të kryer ekspertimin mbi materialin audio dhe video që ish-ministri i Ekonomisë dorëzoi pak ditë më parë pranë organit të akuzës. Burime të rezervuara thanë se parimisht autoritetet amerikane kanë rënë dakord që kjo asistencë të ofrohet, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare. Ky fakt u pohua për gazetën Mapo pasditen e djeshme nga burime të rezervuara, të cilat thanë se ende nuk ka një përgjigje, duke siguruar kështu se edhe ekspertët e kërkuar nuk kanë mbërritur ende në Tiranë. Ajo që vlen të theksohet, ka të bëjë me faktin se ekspertimi i videos do të kryhet në Tiranë dhe se materiali filmik ku shfaqet ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta, nuk do të dalë jashtë Shqipërisë. Aktualisht, në vendin tonë, si ekspertët privatë, apo edhe disa institucione ligjzbatuese, disponojnë të gjitha teknikat e nevojshme për ekspertimin e videos, por duke qenë se çështja është konsideruar si mjaft delikate, për faktin se në të është përfshirë ish-numri dy i qeverisë, organi i akuzës ka kërkuar asistencë të huaj për kryerjen e këtij procesi. Në këtë fazë të hetimit, Prokuroria e quan tepër të rëndësishme vërtetësinë e videos, pasi në bazë të saj do të hartohet edhe gjithë strategjia e mëtejshme e hetimit mbi veprat penale për të cilat është regjistruar çështja fillimisht. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›