E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Arkivi im i dokumenteve në 6 muajt e fundit si ministër

Intervistoi: Habjon Hasani

Tiranë- Tërmeti politik i shkaktuar prej videos së parë të regjistruar prej tij, nuk e pengon të pohojë atë që sot diskutojnë të gjithë: ekzistencën e videove të tjera. Dritan Prifti, politikani më i komentuar i ditës, thotë në këtë intervistë ekskluzive për MAPO-n se ka një arkiv të tërë me dokumente, të mbledhura në 6 muajt e fundit të tij si ministër i kabinetit “Berisha”. “Kam depozituar në dy shtete të huaja gjithë këtë arkiv. Do ta përdor vetëm kur të jem i sigurt që drejtësia jonë mund ta përtypë dhe trajtojë në mënyrë të pavarur këtë çështje. Një video-provë e kam denoncuar. Do shoh si do veprohet në këtë rast, pastaj do veproj më tej”, - thotë Dritan Prifti, duke shtuar se hë për hë asgjë nuk do të dalë në publik. Siguria e tij duket se luan një rol të dorës së parë në këtë vendim të Dritan Priftit, për të cilin thotë se e ka marrë në konsultim me prindërit, miqtë e familjen. Për këtë vendim duket se ka ndikuar edhe informacioni i marrë prej tij, se kinse është kërcënuar nga “Hakmarrja për Drejtësi”, informacion të cilin Prifti e sheh më shumë si alibi për ndonjë plan që lidhet me ndonjë goditje të mundshme të tij. Në këtë intervistë për MAPO-n Dritan Prifti komenton edhe dorëheqjen e Ilir Metës, hetimin e deritanishëm të Prokurorisë dhe aludimet për një marrje në mbrojtje nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Zoti Prifti, si e pritët dorëheqjen e Ilir Metës nga postet e zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë dhe çfarë mendimi keni lidhur me efektet që do të shtrijë në ditët në vazhdim kjo dorëheqje?

Nuk kam përjetuar ndonjë gëzim të veçantë kur mora vesh për dorëheqjen e tij. Do isha gëzuar nëse ai do të shkarkohej. Pavarësisht se atij iu imponua dorëheqja, nuk e dha me vullnetin e tij, përsëri ai mbetet “de facto” ministër i tre ministrive të LSI-së. Asgjë nuk ka ndryshuar. Ai vazhdon të jetë në pushtet, por tani më i lirë të bëjë plane me burgaxhinj dhe mafiozë, sesi të mposhtë drejtësinë, sesi të grabisë taksat e shqiptarëve, sesi të më eliminojë mua fizikisht apo si të sajojë shpifje e histori kundër meje, për të treguar që e gjithë politika është e pistë si videoja e tij. Vazhdimi i kësaj historie varet vetëm nga drejtësia, kryesisht prokuroria. Duhet zbardhur urgjent, nëse videoja që kam dorëzuar unë në prokurori është e paprekur dhe përmban filmime reale. Pastaj duhet ecur shpejt me hetimet.

Gjatë këtyre ditëve është folur shumë për video të tjera e madje është komentuar se paralajmërimi juaj është një nga arsyet e dorëheqjes së Metës. A do të kemi rastin të shohim të tjera video të xhiruara nga ju, në ditët në vazhdim, sikurse nënkuptuat në intervistën e dhënë në "Top Story"?

Unë kam një arkiv të tërë me dokumente, që janë mbledhur gjatë një periudhe 6-mujore, pjesën e fundit të kohës si ish-ministër. Kur kuptova se në çfarë qeverie isha futur dhe se me çfarë presionesh mafioze isha i detyruar të përballesha, vendosa të dokumentoj sa më shumë episode të një historie trishtuese qeverisjeje. Kam depozituar në dy shtete të huaja gjithë këtë arkiv. Do ta përdor vetëm kur të jem i sigurt, që drejtësia jonë mund ta përtypë dhe trajtojë në mënyrë të pavarur këtë çështje. Një video-provë e kam denoncuar. Do shoh si do veprohet në këtë rast, pastaj do veproj më tej. Këtë qëndrim e kam menduar dhe konsultuar gjatë me prindërit, miqtë dhe familjen, dhe kemi vendosur që për sigurinë tonë të mëtejshme, asgjë nuk do të dalë më tej në publik. Këto ditë kam marrë mijëra telefonata dhe sms nga publiku i gjerë. 90% e tyre më thonë të kujdesem për sigurinë time dhe të familjes sime. Kam informacione të besueshme se disa segmente të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë shpërndarë fjalë se gjoja unë jam kërcënuar për jetën nga “Hakmarrja për Drejtësi”. Mua ata nuk ma kanë thënë këtë informacion, por vetëm më kanë shtuar rojet. Të them të drejtën, këtë organizatën “Hakmarrja për Drejtësi” vetëm sa e kam dëgjuar nga pasqyrimet në media dhe s’kam pas kurrë ndonjë marrëdhënie me ta. Ata s’kanë asnjë arsye të merren me mua. Nuk i njoh, fare, s’i kam takuar kurrë. Mendoj se dikush po përhap këtë alibi për të fshehur diçka më të zezë se kaq, mbase ndonjë plan për goditjen time, që më vonë fajin t’ia hedhin “Hakmarrjes”. Në këto kushte, më duhet të jem shumë i kujdesshëm. Nëse një familjar imi do dëmtohej nga kjo histori, unë nuk do doja të jetoja vetë më tej. Pavarësisht kësaj, unë garantoj publikun se asgjë nga kjo veprimtari mafioze nuk do të mbetet e fshehtë për historinë e shtetit tonë. Shqipëria nuk do mbetet peng i politikës së sotme për shumë kohë. Institucionet tona do forcohen edhe si rrjedhojë e luftës dhe denoncimeve që kam filluar të bëj unë.

Po flitet gjithashtu se sigurinë tuaj e kanë marrë përsipër personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose më saktë janë disa efektivë specialë amerikanë që kujdesen për sigurinë tuaj. A ka ndonjë të vërtetë këtu apo janë thjesht fjalë?

Asnjë personel mbrojtës i asnjë shteti të huaj nuk ka marrë përsipër sigurinë time. Ambasada e Shteteve te Bashkuara të Amerikës është interesuar shpesh për sigurinë e fëmijëve të mi, që janë me shtetësi shqiptare dhe amerikane. E di që këtë fakt ata ia kanë vënë në dijeni dhe ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha. Të tjerat janë thashetheme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›