Meta: Më 9 maj do festojmë mbi fashizmin dhe spiunët
Duke i dhënë fund një standardi moral, me dorëheqjen, dhe duke filluar një betejë ligjore me Dritan Priftin, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta po shpall dita-ditës edhe objektivat e tij politike. “Sot është koha jo vetëm për një ndryshim rrënjësor të kryeqytetit dhe gjithë mënyrës së qeverisjes vendore, por sot është koha edhe për dezinfektimin nga çimkat, nga spiunët e politikës shqiptare. Është koha për të forcuar dhe për të mbrojtur kultin e shtetit të së drejtës, për të forcuar dhe për të mbrojtur kultin e dinjitetit të çdo qytetari në këtë vend. Për të mbrojtur dhe forcuar vlerat më të mira evropiane të shoqërisë sonë të kombit tonë dhe jo për të rikthyer kultin e anti-vlerave, që përmbysëm 20 vjet më parë në vitin 1990, që ishte pikërisht kulti i spiunllëkut, kulti i përgjimit, kulti i fabrikimeve, kulti i shkatërrimit të dinjitetit të njerëzve me forma dhe mënyra monstruoze, si ato që përpiqet t’i kthejë sot në kult përsëri Edi Rama, kryetari i Partisë së Spiunëve të Shqipërisë”, - tha dje Meta, para të rinjve në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LRI-së. Duke besuar pikërisht tek të rinjtë, kryetari i LSI-së theksoi se pikërisht me kontributin e tyre, Tirana do të votojë më 8 maj për mazhorancën. “Ne kemi besim të plotë se LRI, e cila është një forcë e jashtëzakonshme, sidomos në kryeqytet, do të dijë të kontribuojë në mënyrë vendimtare në këtë ndryshim rrënjësor, që pritet në krye të Bashkisë së Tiranës, dhe njeriu i cili kërkon të jetë përjetësisht në krye të këtij kryeqyteti, për ta shkatërruar atë në dobi të grupeve mafioze që e mbështesin dhe që pastrojnë paratë e tyre, duke e shndërruar Tiranën në një lavatriçe që duan ta mbajnë të tyren, do të ikin me turp, jo vetëm nga kjo bashki, por të jeni të sigurt se do të ikin me turp edhe nga jeta politike, si një njeri i cili erdhi me politikën e re dhe si një njeri që po ikën me politikën e spiunëve, të përgjuesve, të fabrikuesve, të njerëzve me veset më të ulëta morale dhe njerëzore”, - tha Meta. Ende i irrituar nga video që ish-bashkëpunëtori i tij, Dritan Prifti, i bëri, kryetari i LSI-së shpalli një slogan të ri për fitore.
“Ky është një vend që ka të ardhme dhe të ardhmen e tij nuk e merr dot peng askush. Më 8 maj, LSI do të konfirmohet në mënyrën më spektakolare, në radhë të parë në kryeqytet, dhe për këtë garancia jeni ju, dhe në gjithë Shqipërinë, ne më 9 maj kemi dy festa të mëdha. Fitoren mbi fashizmin dhe fitoren mbi spiunët”, - shtoi ai. Duke e akuzuar Edi Ramën si shkaktarin kryesor të publikimit të videos korruptive mes tij dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, Meta theksoi se përgjigja më e mirë ndaj kryetarit të opozitës, do të ishte fitorja në Tiranë. “Ne jemi këtu për t’i thënë Edi Ramës se më 8 maj qytetarët e Tiranës e kanë vendosur tashmë për të marrë një vendim të madh dhe historik, një vendim për të pastruar qytetin një herë e mirë, jo vetëm nga një drejtim tashmë mafioz i tij, që e ka renditur Tiranën në fund të listës së qyteteve të botës, përsa i takon dhënies së lejeve të ndërtimit dhe nivelet më të larta të korrupsionit, por njëkohësisht ne kemi një detyrë të madhe”, - tha Meta, duke sqaruar se kjo detyrë është pikërisht “dezinfektimi nga çimkat, e spiunët e politikës shqiptare”.