E Diel, 1 Nëntor 2026

Korfuz, fundoset anija mbyten 22 afganë

Një anije holandeze shpëtoi 241 të tjerë pas fundosjes së një anijeje plot me emigrantë afganë me destinacion Italinë. Arrestohen dy turq të dyshuar si trafikantë.

Korfuz - Një anije holandeze transporti shpëtoi rreth 241 shtetas afganë nga ujërat afër Korfuzit, pas fundosjes së anijes ku ata ndodheshin. Disa orë më vonë, rreth 22 persona nga anija plot me emigrantë mungonin. Dëshmitarët thanë se ata kishin rënë në det. Agjencia franceze e lajmeve AFP citon autoritetet greke të kenë thënë se emigrantët ishin kryesisht burra, por në mesin e tyre kishte 11 fëmijë dhe pesë gra, dhe se anija po udhëtonte në drejtim të Italisë. Në njoftim gjithashtu thuhet se dy persona me shtetësi turke, të dyshuar për trafikim, po mbahen në arrest. Dhjetëra mijëra emigrantë, shumica nga Azia Jugore, Lindja e Mesme dhe Afrika, në mënyrë të paligjshme kalojnë çdo vit në Greqi përmes Turqisë, në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim. Sipas policisë greke, refugjatët e pyetur kanë thënë se vijnë nga Afganistani. Ekspertët besojnë se kontrabandistët çdo muaj sjellin përmes destinacionit Turqi-Greqi-Itali mijëra emigrantë në Europë. Vetëm pak javë më parë ministri grek i Mbrojtjes Civile kishte hedhur idenë e ndërtimit të një muri në kufirin me Turqinë për të parandaluar vërshimin e emigrantëve aziatikë. Ideja u kundërshtua fillimisht nga Komisioni Europian dhe më pas edhe nga UNHCR-ja, e cila kritikoi planet e Athinës. Një zëdhënës i agjencisë së OKB-së për mbrojtjen e refugjatëve deklaroi se një rrethim i tillë mes Greqisë dhe Turqisë nuk zgjidh problemin. Sipas tij, në sigurinë kufitare duhet të përfshihen edhe mekanizma që lejojnë njerëzit të kërkojnë azil. Ai shtoi se në këtë situatë nuk ka vetëm një aktor, por se janë të përfshirë si Greqia dhe Turqia, por edhe Europa, dhe se zgjidhja ka një sërë komponentësh. Veç kësaj, situata në rajonin më problematik, mes dy vendeve, është karakterizuar nga UNHCR-ja si krizë humanitare. Ministri grek i Mbrojtjes Civile, Kristos Papoutsis, e ka krahasuar këtë plan me rrethimin e ndërtuar përgjatë kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mur 1 050km i gjatë, që shtrihet nga Arizona deri në Teksas, i pajisur me kamera, radar survejimi dhe patrulla automjetesh apo avionësh të telekomanduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›