E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori italian në 1984: Kulisat pas vdekjes së Enverit

Robert Ducci

Kujtimet e Robert Duccit, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri.

Hoxha i ka shkatërruar të gjithë rivalët, askush nga pasuesit sdo të ketë mundësinë për të pasur hijen e tij

Shkëndi që do të shkaktojë zjarr. Kështu e ka paralajmëruar vdekjen e Enver Hoxhës ambasadori italian në Tiranë në fillimin e viteve 80. Në argumentin me referenca nga zhvillimet në Shqipëri, diplomati i vendit fqinj vërente jo pa shqetësim prishjen e ekuilibrit politik në rajon, por dhe më gjerë, pas vdekjes së diktatorit Hoxha. Sipas tij, ky do të ishte një rast fatlum për zbarkimin e trupave sovjetike në tokën e shqiponjave dhe rivendosjen e marrëdhënieve të ndërprera në fillimin e viteve 60. Sakaq, Shqipëria e vogël, për diplomatin italian që këtej do të bëhej arenë e përplasjeve të mëdha NATO-Traktat i Varshavës. Ambasadori Roberto Ducci konsiderohet një emër i madh i diplomacisë së vendit fqinj, karriera e të cilit është e lidhur me vendimet më të rëndësishme të politikës së jashtme italiane gjatë viteve të Republikës së Parë: nga pjesëmarrja në bashkëpunimin shumëpalësh në ndërtimin e Europës deri në paqësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe Austrinë. Ai cilësohet si një nga personalitetet më brilante të politikës së jashtme të kohës.                                af.im

Nuk kam ndërmend të merrem me meritat e Marksizëm-Leninizmit në këndshikime të tjera, por e shoh interesante të shënoj se si ai i mban gjatë në jetë subjektet e veta që ushtrojnë pushtet politik të pakufizuar. Ne na kujtohet ky fenomen në vitet e fundit kur kemi ndjekur në ekranet e televizionit funeralet e shumta të anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në Sheshin e Kuq, jeta mbi tokë e të cilëve ishte mbyllur në mosha që vërtiten midis të shtatëdhjetave e deri në tetëdhjetë e pesë vjeç. Statutet e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik përshkruajnë akoma se një bolshevik i mirë nuk del kurrë në pension nga lufta për revolucionin botëror, të cilit ai i kushtonte rininë e tij. E njëjta është e vërtetë në vendet e Europës Lindore të nënshtruara nga BRSS. Sapo udhëheqësit e tyre origjinalë bolshevikë të vjetër ekzekutoheshin sipas urdhrave të Stalinit, pa mbushur ende të pesëdhjetat, apo përjashtoheshin për gabimet e tyre kundërrevolucionare në moshat gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetëvjeçare, rregulli zbatohej me besnikëri në të gjitha vendet e Europës Lindore: Kujtoni Janos Kadar të Hungarisë, Gustav Husak të Çekosllovakisë, Nicolae Ceausescu të Rumanisë. Por, kurrë ky fenomen nuk është dukur më i suksesshëm sesa në rastin e dy udhëheqësve rebelë komunistë, Marshall Tito dhe Enver Hoxha. Tito e drejtoi Jugosllavinë për më shumë se dyzet vjet. Hoxha, i cili themeloi dhe u caktua udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë në 1941, akoma e gëzon pozitën e tij. Sundimi i tij absolut në Shqipëri iu ka kundërqëndruar me sukses sulmeve nga brenda partisë së tij. (Komplotuesit zakonisht janë gjetur të vdekur: më i famshmi ndër ata, Mehmet Shehu, kishte qenë shoku dhe miku më i mirë i Hoxhës dhe numri 2 i përjetshëm për tridhjetë e pesë vjet.) Për më tepër, Hoxha kishte qenë i aftë të parandalonte e të digjte të gjitha planet e përpjekjet e herëpashershme që ishin bërë kundër jetës së tij apo pushtetit të tij, të iniciuara dhe të kryera nga jugosllavë e rusë. Duket se me të vërtetë, duart e apostujve Marks dhe Lenin do të kenë qenë mbi kokën e tij. Por, fatkeqësisht, askush, madje as edhe një bolshevik i konfirmuar, nuk është i pavdekshëm.
Një ditë vdekja do ta thërresë edhe Hoxhën dhe as mendjemprehtësia e as mizoria e tij nuk do të mjaftojnë për ta ndaluar atë të shkojë në shtratin e të sëmurit. Do të mbahet një zi e përgjithshme nga ana e popullit shqiptar, madje disa do të jenë edhe të sinqertë. Do të ndizen zjarre në male dhe do të shtihet me pushkët e vjetra në lugina. Kufoma e tij do të balsamoset dhe do të varroset në varrezat shtetërore, ashtu sikurse u veprua me Stalinin (Hoxha është admiruesi më i pakthyeshëm i Stalinit!). Pastaj zhurma dhe të qarat do shuhen dhe vendi i vogël ballkanik do të vijojë të endet në një të ardhme të pasigurt. Qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ka bërë vend vetëm tri herë në titujt kryesorë të mediave: kur kujdestaria jugosllave u zëvendësua nga kujdestaria ruse; kur këta të fundit u zëvendësuan nga kinezët; kur kinezët u falënderuan thatë për ndihmën e tyre dhe iu kërkua të largoheshin. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, shumë pak njerëz në Perëndim kanë pasur dijeni për ekzistencën në Juglindje të Europës të këtij vendi, i cili, për të gjitha synimet dhe qëllimet, mund të ishte edhe Tibet. I mbyllur në vetvete, ky vend praktikisht nuk ka asnjë komunikim me botën përreth, përveçse përmes një grupi të vogël zyrtarësh të besuar; nuk ka marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo BRSS; nuk lejon asnjë mundësi për popullin e tij për të njohur çfarë po zhvillohet jashtë botës; toleron shumë pak turizëm të huaj dhe e bën praktikisht të pamundur për shqiptarët të udhëtojnë jashtë vendit të tyre. Asnjë, madje as edhe diplomatët në kryeqytetin Tiranë, të cilët janë kaq të reduktuar në numër, saqë shpesh e gjejnë të vështirë të organizojnë një tavolinë katërshe, asnjë pra, nuk di çfarë ndodh me të vërtetë në Shqipëri. U ekzekutua ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku në 1975. Pse? Sepse ishte spiun sovjetik (jugosllav, amerikan)? Vrau veten Mehmet Shehu apo u vra qëllimisht sipas urdhrave nga lart? Përgjigja e kujtdo ndaj këtyre pyetjeve dhe ndaj pothuaj të gjitha pyetjeve jetësore si kjo, është: Ne, me ndershmëri, nuk dimë asgjë. Interesimi i ngritur midis njohësve për ndonjërën nga këto ngjarje, shuhet shpejt: harta e Europës duket se nuk e përfshin më vendin e vogël, ku në shekullin e pesëmbëdhjetë heroi Skënderbeg udhëhoqi revoltat kundër turqve dhe nga ku Perandoria Otomane nxori jeniçerët më luftarakë dhe shumë nga pashallarët e vezirët e mëdhenj.
Shqipëria është një vend me terren të thyer malor, pak më i madh se Uellsi. Kufizohet nga Veriu me Malin e Zi dhe Kosovën (në Jugosllavi), në lindje nga Maqedonia, në Jug nga Epiri (në Greqi) dhe në Perëndim nga deti Adriatik. Provinca jugosllave e Kosovës ka më shumë se një milion shqiptarë: ska çudi që qeveria e Tiranës e konsideron këtë numër si të parivlerësuar. Maqedonia, e banuar nga serbë, bullgarë, turq dhe grupe të tjera etnike, tradicionalisht ka qenë e pretenduar nga vendet ballkanike; Bashkimi Sovjetik, pasardhësi i pashuguruar i Rusisë së shenjtë, vijon të ushqejë shpresa për tia aneksuar atë Bullgarisë besnike, duke krijuar kështu një pykë midis Jugosllavisë heretike dhe Greqisë së NATO-s. Epiri gjithashtu, i shenjtëruar pas shpirtrave të të parëve, Akilit dhe Pirros, ishte dhe ka të ngjarë që përsëri të bëhet një mollë sherri midis Shqipërisë dhe Greqisë. As Serbia, as Greqia – dy rivalët kryesorë ballkanas për hegjemoni mbi Shqipërinë përpara Luftës së Parë Botërore dhe midis dy luftërave, nuk qenë në gjendje ta sigurojnë krejt për veten Epirin – arsye e qenësishme që Italia nuk do ta lejonte. Italia nuk e kishte lejuar Perandorinë Austro-Hungareze të instalohej fuqishëm në pjesën e poshtme të Adriatikut, pa le më të lejonte një gjë të tillë ta bënte Jugosllavia apo Greqia.
Pse Italia ishte e interesuar për të siguruar një Principatë shqiptare nën kontrollin e saj apo për krijimin e një bashkimi midis dy vendeve në personin e kreut të familjes mbretërore të Mbretit të Savojës (Victor Emmanuel III, perandor i Etiopisë dhe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›