Ambasadori Berisha i thur lavde kryeministrit Berisha (që nuk di edhe ta shkruajë shqipen)
Është gjithmonë interesante të mësosh se si e shkruan gjuhën shqipe kryeministri i vendit tënd.
Shanset janë të vogla për të mësuar një gjë të tillë, por me kryeministrin në largim, Sali Berisha, e kemi këtë fat për shkak se ai është shumë aktiv në Facebook dhe u kthen përgjigje qytetarëve.
Ndryshe nga mesazhet e tij, përgjigjet në FB janë të mbushura plot me gabime dhe të bëjnë të mendosh se ashtu e shkruan shqipen kryeministri.
Nëse sheh këto komente, ku germa ë është zhdukur nga qarkullimi, pikësimet janë vend e pa vend dhe fjalëve u shtohen ose hiqen germa, e kupton që ai nuk e njeh mirë shqipen.
Në të vërtetë po të shohësh në përgjithësi gjuhën shqipe që përdoret në forume dhe rrjete sociale, është për të vënë duart në kokë.
Me këtë gjuhë është shkruar edhe një koment që ambasadori shqiptar në Londër, Mal Berisha, i lë kryeministrit Berisha në faqen e tij në FB.
Ambasadori thur lavde pa fund për Berishën, duke e quajtur njeriun që na solli lirinë.
Në historinë më të re të Shqipërisë, ju jeni jo vetëm profesori i kardiologjisë që u mësoi studentëve shqiptarë profesionin e nderuar të mjekut në pavijonin e spitalit, por na mësove edhe leksionin më të madh të demokracisë. Edhe këtë të dytën na e mësove sa në fushën e betejës kundër diktaturës, aq edhe në katedrën e institucioneve demokratike. Kur sheh bilancin e këtyre viteve nga kjo lartësi, na duket edhe më i thellë honi i tmerrshëm prej nga dolëm.
Është e pamundur që të bëhet një bilanc i plotë i tërë asaj që bëtë dhe arritën me aq sakrifica, mundim, përpjekje, përkushtim mbinjerëzor, titanik. Është e pamundur që të përmenden tërë reformat që e kthyen Shqipërinë nga një vend i ngjashëm gati me askënd, në një vend të ngjashëm me vendet euroiane. Mirënjohje, respekt të thellë, urime dhe jetë të gjatë dhe të lumtur me të dashurit tuaj, shkruan Mal Berisha ndër të tjera.
Natyrisht tekstin e tij bruto e gjeni në FB, bashkë me përgjigjet e Berishës në një shqipe të shtrembëruar./ep