E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Dell viziton Demokracinë në Veprim

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, gjatë vizitës që i ka bërë koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim, ka çmuar lart rolin e monitorimit që po bën ky koalicion për procesin zgjedhor.

Ambasadori Dell ka vlerësuar se Demokracia në Veprim ka një mision dhe rëndësi shumë të madhe që do të reflektojë progresin që ka bërë Kosova që nga pavarësia. Ai ka thënë se shoqëria civile ka rol shumë të rëndësishëm në procesin e zgjedhjeve.

Për mua, ka një rëndësi vitale që rreth 2400 monitorues nga shoqëria civile do ta monitorojnë të gjithë procesin në ditën e votimit dhe numërimin. Këta njerëz, të cilët nuk i përfaqësojnë partitë politike, por përfaqësojnë popullin e Kosovës, do të jenë një përparësi e madhe për të gjithë procesin dhe do të jetë një arsye e mirë që njerëzit e këtij vendi të besojnë për një proces fer dhe demokratik, ka thënë ambasadori Dell, për gazetarët, pas takimit me udhëheqësin e Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu.

Ai ka ftuar qytetarët që tu besojnë autoriteteve përgjegjëse për numërimin e votave. Demokracia nuk ka të bëjë vetëm me ligjet, por ka të bëjë edhe me pjesëmarrjen në proces dhe marrjen e përgjegjësive dhe kjo është çfarë është duke bërë Demokracia në Veprim për të gjithë Kosovën, ka deklaruar ambasadori Dell.

Nga ana e tij, Kryeziu tha se e ka informuar ambasadorin Dell me punën e Demokracisë në Veprim dhe e ka falënderuar SHBA-në për punën dhe demonstrimin e vullnetit për zgjedhje të lira, të drejta dhe fer.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›