E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Ettore Sequi do të vlerësojë filmat më të mirë në TIFF

Tirana International Film Festival zhvillon nga data 5-10 dhjetor edicionin e 9-të, ku do të shfaqen 100 filma nga 60 shtete. Shqipëria, në konkurrimin ndërkombëtar me 17 filma

Tirana International Film Festival (TIFF) ka nisur rrugëtimin në edicionin e 9-të të tij me shfaqjen e filmave nga 60 shtete të ndryshme të botës. Edicioni i këtij viti do të zhvillohet nga data 5 deri në 10 dhjetor dhe në konkurrim do të jenë filma në tri kategori: atë të metrazhit të gjatë, të shkurtër, si dhe kategorinë “Digiart” po për filmat e shkurtër.

Konkurrimi është i hapur për të gjithë producentët dhe regjisorët nga e gjithë bota, dhe kanë qenë 2 juri vlerësuese, që nga prurjet e shumta këtë vit të filmave nga vende të ndryshme të botës të përzgjedhin 100 filma që do të shfaqen përgjatë 5 ditëve në dy kinema në kryeqytet: “Imperial” dhe “Kristal”. Dje në qendrën “Kristal” u shfaqën 11 filmat e parë me metrazh të shkurtër, që do të synojnë çmimin e madh për të vazhduar maratonën e shfaqjeve në mbrëmje, ku u shfaq filmi i parë në konkurrim për kategorinë e filmit me metrazh të gjatë “Punk’s not dead”, nga Maqedonia. Shfaqja e filmave do të vazhdojë sot në orën 10:30, për të vijuar sërish deri në mbrëmje. Këtë vit janë rreth 100 filma nga 60 shtete, ndërkohë që Shqipëria do të konkurrojë me kinemanë botërore me 17 filma, 4 prej të cilëve janë nga Kosova e që do të jenë të kategorive fiction, dokumentarë, si dhe të animuar.

Në këtë edicion publiku shqiptar do të ketë mundësi të shikojë filma nga shtete që kanë qenë pjesë e TIFF-it që në fillim të tij, si Anglia, Gjermania, Spanja, Rumania, Finlanda etj. Për herë të parë në edicionin e 9-të të “Tirana International Film Festival” përfaqësohet edhe kinemaja kubaneze. Këtë vit kanë konkurruar rreth 500 filma, nga të cilët në seleksionimin zyrtar kanë kaluar 83 (11 të animuar, 9 dokumentarë, 12 eksperimentalë, 42 filma artistikë me metrazh të shkurtër dhe 9 filma artistikë me metrazh të gjatë). Filmat në konkurrim vinin nga 60 shtete, ku në krye të listës me më shumë pjesëmarrje renditen Gjermania, Italia, Anglia, Spanja, ndjekur nga Rumania, Polonia, Izraeli, Irani, Finlanda, Portugalia, Koreja e Jugut, Tailanda dhe për herë të parë edhe Kuba. Autorë të famshëm në botë si Simone Massi, Vladimir Perovic, Zoltan Horvath, Simon Ellis, të cilët kanë qenë pjesëmarrës që në edicionin e parë të TIFF-it, janë rikthyer me filmat e tyre edhe në këtë edicion të 9-të. “Tirana International Film Festival u ngjiz si traditë në vitin 2003 dhe që nga ai vit festivali modest i kryeqytetit shqiptar filloi të rritej vit pas viti, si nga pjesëmarrja, ashtu dhe nga të ftuarit specialë që ky festival i ftonte për herë të parë në Shqipëri, si Franco Nero, Alexander Rockëell, Ken Loach, Theo Angelopoulos, Goran Paskaljeviç etj. Tirana International Film Festival është i pari festival ndërkombëtar i këtij lloji në Shqipëri. Është një festival i hapur për të gjitha llojet e prodhimeve kinematografike të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër: artistikë, dokumentarë, të animuar dhe eksperimentalë. “Mbi të gjitha, ky festival është një pikë takimi për artistët e filmit dhe kinemasë nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të tjera të botës, që mblidhen në kryeqytetin shqiptar për të ndarë së bashku pasionin e tyre për filmin”, - shprehen organizatorët. Por pavarësisht këtij misioni, “Tirana International Film Festival” nuk ka mundur të sigurojë asnjë mbështetje nga shteti shqiptar për organizimin e këtij festivali.

Juritë që do të votojnë për filmat më të mirë

Janë katër juri që do të votojnë për filmat më të mirë të “Tirana International Film Festival” për kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër, të gjatë dhe të animuar. Juria kryesore, ajo ndërkombëtare, përbëhet nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, aktorja Elvira Diamanti, regjisori Dhimitër Anagnosti dhe fotografi italian Massimiliano Nardulli. Kjo juri do të përzgjedhë filmat më të mirë me metrazh të gjatë. Në jurinë që do të përzgjedhë filmin më të mirë me metrazh të shkurtër janë regjisori shqiptar Kujtim Çashku, fotografi Francesco Acone, i ashtuquajturi “emigranti i parë italian në Shqipëri”, i cili jetën e ka ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe regjisori italian Lorenzo Vignolo. Juria e tretë që do të marrë në shqyrtim vetëm filmat shqiptarë, ku janë rreth 27, përbëhet nga Zamir Kokonozi (producent), Iris Elelezi (kritike) dhe Andi Delia (regjisor). Juria e katërt dhe e fundit është ajo e medias me: Mirjeta Baraliu, Mira Tuci dhe Alfred Lela.

Aida TUCI

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›