Vodafone Albania merr çmimin e vullnetarizmit
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, ashtu si çdo vit, UN Volunteers në bashkëpunim me organizatën “Këshilli Rinor Shqiptar”, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, organizoi aktivitetin e ndarjes së “Çmimeve të Vullnetarizmit 2011”, ku u shpërndanë çmime për disa kompani dhe fondacione që kontribuojnë dhe janë shembull i vullnetarizmit në vend. Një ndër fituesit ishte edhe Fondacioni Vodafone Albania, të cilit iu akordua çmimi ”Institucioni me kontribut të shquar në mbështetjen e vullnetarizmit ”, për punën e palodhur të këtij fondacioni për promovimin dhe motivimin e vullnetarizmit në Shqipëri. Gjatë akordimit të çmimit nga zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania, z. Albi Greva falenderoi të gjithë punonjësit e Fondacionit Vodafone që kanë kontribuar jo vetëm për dhurimin e gjakut, por edhe në shumë kontribute e pjesëmarrje mes projekteve të mbështetura nga fondacioni, si dhe gjithë vullnetarët e tjerë të shumtë që u janë bashkuar nismave të tyre. Ai shtoi se krijimi i programit ”Bota e Ndryshimit” është pikërisht në vijim të politikës së përhapjes së kulturës së vullnetarizmit, gjë e cila ka dhënë dhe pritet të çojë akoma më tej çka ky fondacion ka arritur deri tani.