Pylli i Kasëm Trebeshinës ngjitet në skenën parisiene
“Shtëpia e Europës dhe Orientit”, e cila disa muaj më parë prezantoi përkthimin në frëngjisht të dramaturgut shqiptar Kasëm Trebeshina, “La Forêt”, ka vendosur që këtë vepër ta ngjisë në të njëjtën skenë si shfaqje premierë për muajin dhjetor për publikun francez, ku do të prezantohen tre dramaturgë shqiptarë. Janë përzgjedhur për këto shfaqje premiere që do të jepen nga data 6-9 dhjetor, veprat e tre dramaturgëve shqiptarë: Jeton Neziraj, Teki Dervishi dhe Kasëm Trebeshina. Ky prezantim i dramaturgjisë shqipe në Paris hapet më datë 6 dhjetor me dy drama të Jeton Nezirajt, të përkthyera në frëngjisht. Drama e parë “La Guerre au temps de l'amour” , përkthyer nga Anne-Marie Bucquet, do të prezantohet nga regjisori francez, Philippe Lanton dhe teatri i tij “Compagnie Le Cartel”, ndërsa drama e dytë “L’Effondrement de la Tour Eiffel”, e përkthyer nga Arben Bajraktaraj, do të prezantohet nga regjisorja franceze, Florence Bermond dhe teatri “Compagnie La Louve Aimantée”, me aktorët: Marie-France Alvarez, Christophe Chene, Simon Pitaqaj, Jutta Ëernicke-Sazunkieëizc e Arben Bajraktaraj. Më 8 dhjetor do të ngjitet në skenë drama e Teki Dervishit “Au seuil de la desolation”, e përkthyer nga Anne-Marie Autissier dhe Arben Bajraktaraj, produksion i “Compagnie Helloi”, me regji të Arben Bajraktaraj, asistent regjie: Jutta Ëernicke Sazunkieëisz, me aktorët: Cedric Appietto, Arben Bajraktaraj, Florence Bermond, Tomasz Bialkoëski, Christophe Chene, Jean –Marie Galey, Flonja Kodheli, Natasha Mashkevitch, Jutta Ëernicke-Sazunkieëisz, e me muzikë të Vlashent Sata. Ndërsa më datë 9 dhjetor, para publikut francez do të prezantohet drama “La Forêt” e dramaturgut Kasëm Trebeshina, e përkthyer nga Anne-Marie Autissier. Regjia: Cyril Lévi-Provençal, me aktorët: Patrick Alaguératéguy, Céline Barcq, Fabrice Clément, Dominique Dolmieu, Michel Fouquet, Frank Lacroix, Nouche Jouglet-Marcus, Barnabé Perrotey, Cyril Lévi-Provençal, Christophe Sigognault dhe Federico Uguçioni. Drama “Pylli – Evandri dhe Nausika” e ka parë dritën e botimit në shqip nga “Faik Konica”, në Kosovë. Është pjesë e Antologjisë personale me një cikël dramash, që Trebeshina e ka shkruar në vitet 1937-2006.
Prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realizmit socialist, dëmet e së cilës ishin brenda parashikimeve të tij. Që në vitet '50, ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin asokohe. Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit, që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës ndonëse nuk u botua, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (pas viteve ‘90).
Sipas kritikës serioze,vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.