Ambasadori Gonzato takim me Drejtoreshën e RTSH-së, fokusi i bisedës, komunikimi publik për procesin e negociatave të anëtarësimit

Radio Televizioni Shqiptar vijon turin e takimeve me Ambasada dhe Agjenci Ndërkombëtare, ku sot Drejtoresha e Përgjithshme Eni Vasili, zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit për përmirësimin e informimit dhe komunikimit publik mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar rolin thelbësor të transmetuesit publik në garantimin e informimit të saktë, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës.
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si zhvillimi i projekteve të përbashkëta, mbështetja teknike me pajisje moderne, digjitalizimi i arkivës, si dhe forcimi i pavarësisë institucionale dhe editoriale të RTSH, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian.
RTSH mbetet plotësisht e angazhuar në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim forcimin e mëtejshëm të shërbimit publik mediatik dhe rolit të tij në shoqëri.
Gazetare: Jonela Sagajeva
/rtsh.al/