Ambasadori Lauka mesazh politikës serbe: Jemi më të fortë

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë ua ka tërhequr vërejtjen fqinjëve në Ballkan se shqiptarët nuk janë ata të viteve të ’12-ta, ’45-ta, e as 80-ta e 90-ta, por shqiptarët janë më të fortë se kurrë, më të arsimuar e më të emancipuar. Por, sipas tij, këtë nuk po e marrin në konsideratë fqinjët, duke hedhur kritika direkt në presidentin e sapozgjedhur të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili qysh në ditët e para ka nisur me politikën e tij nacionaliste.
“Duhet ta kenë kuptuar dhe besoj se e kanë kuptuar që shqiptarët në Ballkan nuk janë ata të 1878-ës, as 1912-ës, as 1945-shit, por as të viteve ‘80 dhe ‘90. Shqiptarët sot janë më të fortë, më të arsimuar, më të emancipuar dhe më të bashkuar. Por, për fat të keq, këtë nuk po e marrin në konsideratë sa duhet dhe kemi parë këto ditë presidentin e sapozgjedhur Nikoliq, i cili, në gjykimin tim, duhet ta braktisë zhanrin nacionalist, zhanrin në të cilin ka filluar të ushtrohet pak si shumë në ditët e para të presidencës së tij. Duhet ta braktisë, sepse ka një problem këtu. Ligjet e këtij zhanri nuk i njeh vetëm Serbia, por i njohin edhe popujt e tjerë këtu në Ballkan dhe ai duhet të mendohet mirë, në rast se të tjerët në Ballkan i referohen këtij zhanri, atëherë çdo të bëhet me paqen, me stabilitetin në vendin e tij në Serbi, sepse, i themi një fjale ne “e çoj kashtë, po dalin gjashtë” dhe çdo të bëhet me stabilitetin më gjerë, rajonal”, ka thënë ai.
Kurse, sa i përket akuzave dhe riaktivizimit të idesë për Shqipërinë e madhe para pak ditësh edhe nga ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Konjuzhin, ai u është drejtuar edhe Beogradit edhe Moskës, duke thënë se Shqipëria është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësisë e Kosovës, dhe sipas tij, Shqipëria do të bëjë ç’është e mundur që ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe organizatave ndërkombëtare.
“Sa i takon akuzës për Shqipërinë e madhe që është riaktivizuar këto kohë, para 2-3 ditësh, edhe Aleksander Konjuzhin, ambasador i Federsatës ruse në Beograd. Unë duhet t’iu kujtoj edhe Beogradit dhe Moskës që Shqipëria, vendi që përfaqësoj, është ndër të parat që e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe bën ç’është e mundur ç’varet prej saj që këtij shteti të ri t’i hapen rrugët, t’i hapen dyert për bashkëpunim rajonal, t’i hapen dyert për anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare dhe kjo nuk është politikë shtetmadhe, por është politikë e fqinjësisë së mirë. Ndërsa mosnjohja e Kosovës nga Beogradi, politikat bllokuese të Rusisë, sidomos në Këshillin e Sigurimit janë ato që ushqejnë alternativa të ndryshme nga ato për të cilat janë përcaktuar shqiptarët, siç janë integrimet euroatlantike”, ka thënë ai. /kosovapress/