Ambasadori amerikan vlerëson qëndrimin e opozitës në lidhje me Gërdecin
“Jemi mbledhur këtu sot, në një kohë trishtimi për ju dhe për popullin shqiptar. Tragjedia në Gërdec ka prekur të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mund të them që na ka prekur edhe të gjithëve ne, miqve tuaj. Ne të gjithë ndajmë me ju dëshirën për t’i gjetur fundin këtij incidenti. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se, si rezultat i këtij incidenti jemi mbledhur në një kohë debatesh politike. Zoti Rama ju referua një fakti të tillë edhe në fjalën e tij. Ne e kuptojmë se këto debate vendosin në një presion dhe barrë të veçantë veçanërisht ato parti që janë në opozitë në këto momente. Zgjedhësit tuaj që është e natyrshme kërkojnë veprim dhe i kthejnë sytë nga ju për të parë këtë veprim dhe për realizimin e këtij veprimi menjëherë. Aftësia për t’i mbajtur këto presione në perspektivën e Samitit të rëndësishëm të NATO-s dhe zgjerimit të ardhshëm të NATO-s i bën nder juve dhe udhëheqësisë politike të shtetit shqiptar. Unë e konsideroj si një veprim kurajoje politike që ju keni ruajtur të gjallë këtë perspektivë në këto momente të komplikuara. Pra, jo vetëm si një veprim kurajoje politike, por edhe si një veprim si një burrë shteti”, - tha Withers. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e Shqipërisë në NATO dhe se ky qëndrim do të thotë që ftesa nuk ka ardhur si rezultat i punës së një grupi, po si një arritje e gjithë popullit dhe politikës shqiptare.
“Ka qenë një pozicion, një qëndrim afatgjatë i mbajtur prej vendit tim dhe ne shpresojmë që do të arrihet të konkludohet me sukses në ditët në vijim. Dhe në arritjen në këtë qëndrim e në këtë vendim, qeveria ime ka qenë plotësisht e vetëdijshme për rolin që ka luajutr Partia Socialiste dhe partitë e opozitës. Me ardhjen e kësaj ftese që shpresojmë se do të ndodhë, qeveria ime nuk do ta shohë këtë ftesë si rezultat vetëm i punës së një grupi të caktuar, por do ta shohë si një arritje të udhëheqësisë politike të Shqipërisë si një e tërë dhe si një arritje e popullit shqiptar si një i tërë”, - tha Withers.