E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diferenca mes nesh dhe “New York Times”

Gazeta “New Jork Times” botoi dje ndoshta shkrimin më të gjatë të dekadës së fundit në faqet e saj me ekipin më të madh të mundshëm që ka kontribuar për ndriçimin e historisë së errët të trafikut të municioneve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Plot shtatë gazetarë të njohur, mes të cilëve dhe gazetarë legjendarë të asaj gazete, janë përfshirë në ndriçimin e një historie që trondit realisht standardet false të trumbetuara nga institucionet shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe të fut në zemër të një skenari tronditës, ku bashkëpunon mafia ndërkombëtare dhe mafia shqiptare me mbështetje politike. Por, ky raport model i gazetarisë investigative është botuar së paku dhjetë ditë pasi shtypi shqiptar ka mundur t’i zbulojë këto sekrete, por me një çmim të madh, pas shpërthimit fatal të flakëve vdekjeprurëse në Gërdec. Në ndryshim nga ne, gazeta “New York Times” e ka bërë këtë më përpara dhe me shumë profesionalizëm. Muaj më parë, gazetarët e saj kanë ardhur në Tiranë, kanë hetuar historinë, janë përplasur me Fatmir Mediun dhe rrethin e tij kriminal, janë dhunuar prej tij deri në sekuestrim me forcë të kasetës ku kishin regjistruar intervistën, e cila iu është kthyer mbrapsht pas presionesh diplomatike dhe kanë vazhduar më tej, duke gjurmuar këtë histori në çdo cep të globit për të na e sjellë dje të plotë në faqet e dy gazetave më të mëdha dhe më me autoritet në botë, “New York Times” dhe “Herald Tribune”. Ekipi i këtyre gazetarëve as nuk është nxituar dhe as nuk është ndikuar nga shpërthimi i Gërdecit. Ata nuk janë përfshirë fare në atë histori që ne na ndihmoi të zbulonim këto të vërteta që i kanë noterizuar dje ndërkombëtarisht. Ata janë nisur nga faktet e thjeshta, se në Afganistan me lekët e qeverisë amerikane kanë mbërritur fishekë kinezë të vitit 1966, të cilët normalisht ne duhet t’i demontonim, por që firma e Delijorgjit, me sa duket, i ka paketuar, duke iua shitur sapunin për djathë. Pas kësaj është verifikuar gjithë rrjeti i implikuar në këtë histori, që nga kompania e kontraktuar nga Pentagoni deri te trusti mafioz i Fatmir Mediut në Tiranë. Diferenca mes gazetarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë në këtë histori është se ne nuk hymë dot në zemër të kësaj historie para shpërthimit, por e ndriçuam atë me një kosto shumë të lartë, pasi shpërtheu flaka në Gërdec. Kjo diferencë është dhe diferenca reale mes një shteti të konsoliduar dhe një shoqërie të lirë, dhe një shteti të pastabilizuar me institucione të brishta dhe një shoqërie që është nën trysninë e mafias dhe modelit korruptiv. Siç shihet nga artikulli, dhe Pentagoni apo zyrtarë të veçantë aty janë të dyshimtë në përzgjedhjen e një kompanie që merret me shitje municionesh, por aty shteti ligjor funksionon dhe media arrin të ndriçojë historinë pa tronditur asgjë. Te ne kjo histori s’do ishte zbardhur kurrë, po të mos ndodhte tmerri. Unë kam qenë nga gazetarët e paktë që isha në brendësi të historisë së Gërdecit, para se të ndodhte shpërthimi dhe nuk e shkruaja dot, pasi shteti nuk të hapte dyert për të ballafaquar faktet dhe për të ndarë thashethemet nga të vërtetat. E botova atë vetëm disa orë pas tragjedisë. Kur e pyesje Fatmir Mediun, për dy minuta të thoshte se në këtë punë ishte e përfshirë CIA, Shtëpia e Bardhë, Pentagoni, Departamenti i Shtetit, bilé dhe ata të Mëngjesit të Lutjeve. Po të pyesje Berishën, të shikonte me dyshim mos i kishe kërkuar ndonjë tender Fatmir Mediut dhe e kishe marrë inat. Po të pyesje Lulëzim Bashën si ministër i Jashtëm, të fuste një të buzëqeshur dhe të thoshte se këto janë punë të thella, nuk janë për gazetarë. Po ta teproje, të dërgonin nja pesë a gjashtë të fortë, që Mediu i kishte punësuar si drejtorë dhe mund të përfundoje më keq, siç për pak përfundoi një bashkëpunëtor i “New York Times” në kohën që interesohej. Pra, diferenca mes shtetit tim dhe shtetit amerikan është se këtu nuk ke ku ta hetosh një të vërtetë, pasi çorganizimi i shtetit është i organizuar në mënyrë të tillë që të fsheh të vërtetat. E njëjta gjë ndodh dhe pas botimit të shkrimit. Në Pentagon, natyrisht që ka reflektim, kurse në Ministrinë e Mbrojtjes ka një përgënjeshtrim idiot, që thotë se këto janë të gjitha trillime. Nga ana tjetër, që kur ka ndodhur tragjedia, në mënyrë fyese për autoritetin e një shteti, një ekip avokatësh nën drejtimin e Ilirjan Celibashit, kunatit të Fatmir Mediut, bastisin zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, marrin nga sirtarët dhe dosjet çdo letër që mund të implikojë Fatmir Mediun dhe përgatisin mbrojtjen e tij. Sali Berisha, kryeministri që ka patur ëndërr zgjedhjet e lira dhe luftën kundër korrupsionit, tashmë është në mëshirë të një njeriu të inkriminuar si Fatmir Mediu, pas të cilit është kapur e nuk do t’i ndahet deri në fund të humnerës dhe në dorë të Ilirjan Celibashit që po përpiqet t’i mbrojë të dy.

Kjo fyerje e re që i bëhet autoritetit të shtetit duke ia dorëzuar atë Ilirjan Celibashit për të mbrojtur kunatin e vet, është diferenca reale mes atij zyrtarit që mund të hetohet në Pentagon dhe zyrtarëve që duhet të hetohen në Tiranë. Kjo diferencë natyrisht nuk duhet të na dëshpërojë, pasi nuk është fatalitet, por duhet parë si realitet që duhet ndryshuar. Fatmir Mediu duhet çuar para drejtësisë, Mihal Delijorgji duhet të hetohet deri në fund, lidhjet e tij miqësore dhe sekserët e tij në pushtet duhet të bëhen publikë, tabulatet e tij telefonike duhet t’i jepen shtypit dhe të hetohen publikisht miqësitë e tij, dhe ne së paku të jemi të qetë me ndërgjegjen tonë, se zbulimit të së keqes i kemi shkuar deri në fund.

Kjo krizë nuk mund të zgjidhet, derisa Fatmir Mediu hyn e del dhjetë herë në ditë në zyrën e kryeministrit, duke qarë me të hallin si ta hedhë lumin. Berisha duhet të gjejë fuqi të distancohet jo vetëm administrativisht, por dhe politikisht nga modeli ‘Mediu’. Të harrojë se mund të dalë me të në krah në zgjedhjet që vijnë. Kjo krizë zgjidhet, kur shteti ligjor vepron shpejt dhe fort pa iu dhimbsur askush, duke dhënë së paku një shembull se ne kemi fuqi të shkojmë drejt një modeli shteti perëndimor që meriton të marrë ftesën për në NATO dhe të bëhet anëtar i saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›