E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra higjienike New York Times

• Eduard Zaloshnja

Arthur Sulzberger, botuesi i gazetës që Erion Braçe tundi para kamerave në podiumin e Kuvendit, dhe që Berisha e quajti letër higjienike, do kishte luajtur mendsh në qoftë se do e kishte ndjekur në televizion shkëmbimin banal të dy politikanëve shqiptarë rreth gazetës së tij. Dhe jo pa shkak. Gazeta e tij, "New York Times", ka fituar çmimin "Pulitzer" më shumë herë se çdo gazetë tjetër - plot 95 herë. Ajo është mbiquajtur në SHBA si "gazeta e arkivës kombëtare". Kjo, për faktin se amerikanët i referohen asaj si burim autoritar, pothuaj zyrtar, për ngjarjet kryesore të 160 vjetëve të fundit. Le të shohim pse kjo gazetë ka fituar këtë reputacion.
"New York Times", u themelua më 18 shtator 1851 nga gazetari e politikani Henry Raymond dhe ish-bankieri George Jones. Motoja e saj, e printuar në cepin e majtë të kreut të faqes së parë, ka qenë dhe është: "Të gjitha lajmet që meritojnë të botohen".  Influenca e gazetës u rrit shumë sidomos në 1870 dhe 1871, kur një seri artikujsh investigativë që shënjestronin politikanin e fuqishëm njujorkez William Tweed i dhanë fund dominimit të klanit të tij në Bashkinë e qytetit. Ndërsa në vitin 1904, "New York Times", ishte e para gazetë që botoi lajmin e mbytjes së flotës ruse nga flota japoneze, lajm që e mori me telegraf nga një anije që ajo kishte pajtuar për të ndjekur nga afër betejën detare ruso-japoneze.
 Përfshirja e "New York Times", në vitin 1964 në një çështje gjyqësore për shpifje, solli si rezultat një nga vendimet kyçe të Gjykatës së Lartë të SHBA rreth lirisë së shtypit.  Në atë çështje, Gjykata e Lartë përcaktoi standardin që përcakton se kur një raport i publikuar nga mediat mund të konsiderohet shpifje. Sipas këtij standardi, duhet që ankuesi të provojë se shkruesi i një raporti që ai e konsideron shpifje ta ketë ditur se raporti është i pavërtetë, ose të provojë se shkruesi nuk e ka vrarë shumë mendjen për vërtetësinë apo falsitetin e tij.
Në vitin 1971, "New York Times", filloi publikimin e të ashtuquajturave "Letrat e Pentagonit", të cilat përmbanin një histori top-sekret të përfshirjes politike dhe ushtarake të SHBA në luftën e Vietnamit nga viti 1945 deri në vitin 1971.  Në këtë seri artikujsh, doli qartë se qeveria amerikane e kishte zgjeruar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë ushtarake në Vietnam e përreth shumë përpara se t'ia bënte të ditur publikut këtë gjë dhe ndërkohë që Presidenti Johnson kishte premtuar të kundërtën.  Publikimi i këtyre artikujve ia vështirësoi shumë punën pasardhësit të Johnson-it, Presidentit Nixon.  Kur regjistrimet e bisedave të këtij të fundit u bënë publike, u mor vesh se ai kishte thënë këto fjalë për gazetarin njujorkez: "Le ta fusim në burg atë bir bushtre!".  Në 30 qershor 19971, çështja e "Letrave të Pentagonit" shkoi deri në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, e cila vendosi 6-3 pro "New York Times",.
Në historinë pothuaj 160-vjeçare, "gazeta e arkivës kombëtare" njeh vetëm një rast kur një gazetar i saj është diskredituar për fabrikim apo plagjiaturë.  Ky ishte Jayson Blair, i cili dha dorëheqjen në 2003 nga gazeta pasi u provua se kishte kopjuar pasazhe nga artikuj te gazetave minore,  apo fabrikuar intervista me njerëz jo publikë që në fakt ai nuk i kishte takuar fare.
Për ta mbyllur, mund të thuhet se fare rallë ka qëlluar që raportet investigative të kësaj gazete të kenë qenë gabim, ndërkohë që shumë shpesh ka qëlluar që politikanë të rëndësishëm të kenë dhënë dorëheqjen pas botimit të tyre.  Ish-guvernatori njujorkez Eliot Spitzer, para dy javësh, ishte i fundit në radhën e gjatë të politikanëve që e kanë provuar këtë fat....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›