E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjeorgjian në Shqipëri, kandidat për Kryeministër

Një diplomati nga Gjeorgjia i ka sjellë fat puna e tij si ambasador i Shqipërisë.

Kjo sepse, Presidenti gjeorgjian, Mikhail Sakashvili, i ka propozuar Grigol Mgaloblishvilit që të bëhet Kryeministër i ardhshëm i vendit. Z. Mgaloblishvili është aktualisht ambasadori i vendit të tij në Ankara, por që mbulon edhe Shqipërinë.

Kreu i shtetit gjeorgjian, Sakashvili, ka vendosur shkarkimin e Kryeministrit aktual të vendit të tij

Lado Gurganidze. Sakashvili do t’i kërkojë Parlamentit që të miratojë kandidaturën e 35-vjeçarit të diplomuar në Oksford për të zëvendësuar Kryeministrin e shkarkuar nga detyra.

“Ne kemi vendosur shkarkimin e Lado Gurgenidzes, i cili i ka shërbyer për një kohë të shkurtër vendit tonë”, u shpreh Presidenti gjeorgjian në një mbledhje të partisë së tij.

Ai nuk i dha arsyet e marrjes së këtij vendimi dhe nuk ishte e qartë nëse ka lidhje me luftën e gushtit me Rusinë. Sakashvili theksoi se ai ka propozuar ambasadorin e vendit të tij në Turqi, i cili mbulon edhe Shqipërinë, Grigol Mgaloblishvili, që të jetë Kryeministri i ri i vendit.

Presidenti tha se Gurgenidze, një ish-bankier, do të emërohet në krye të një komisioni për sistemin financiar të Gjeorgjisë.

Si pasojë e konfliktit të gushtit, vendi ka pësuar një rënie ekonomike. Javën e shkuar, donatorët ndërkombëtarë dhanë 4.5 miliardë dollarë për të rindërtuar vendin.

Konflikti në rajon nisi pasi Gjeorgjia u përpoq që të rivendoste kontrollin në rajonin e Osetisë së Jugut pas një seri përplasjesh me rebelët e mbështetur nga Rusia.

Më pas, Moska ndërmori një kundërsulm dhe forcat gjeorgjiane u tërhoqën si nga Osetia e Jugut, ashtu edhe nga Abkhazia, rajoni i dytë problematik i vendit.

Partitë opozitare të Gjeorgjisë kritikuan ashpër Presidentin Sakashvili dhe kanë paralajmëruar një protestë të ashpër më 6 nëntor.

Ambasadori gjeorgjian në Shqipëri, Grigol Mgaloblishvili, i cili është propozuar për Kryeministër, ka mbaruar studimet pasuniversitare në Oksford, ndërkohë që ka studiuar për çështje orientale në Tbilisi, si dhe në Fakultetin e Turqishtes në Stamboll.

Mgaloblishvili, i cili lindi më 7 dhjetor të vitit 1973, ka punuar si drejtor i departamentit të çështjeve evropiane në Ministrinë e Jashtme të Gjeorgjisë, si dhe ka një përvojë disavjeçare në ambasadën gjeorgjiane në Turqi, ku dhe ka punuar për një kohë të gjatë si përkthyes i misionit të tregtisë së Gjeorgjisë.

Presidenti properëndimor i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, i cili erdhi në pushtet në vitin 2003, nëpërmjet “Revolucionit të Trëndafiltë”, po përballet me kritika të shumta nga drejtuesit e opozitës. Ata e akuzojnë Sakashvilin se e futi vendin në një luftë që Gjeorgjia nuk mund ta fitonte.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›