E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, diplomati: Zgjidhja e emrit pas zgjedhjeve presidenciale

 

SHKUP- Zgjedhjet  presidenciale dhe lokale do të zhvillohen më 15 mars në Maqedoni mund të shtyjnë zgjidhjen e cështjes së emrit. Agjencia e lajmeve shqiptare në Maqedoni, INA citon një diplomat perëndimor i cili thotë se “Zgjedhjet janë ato që do të ndikojnë tejmase që liderët t`i ikin përgjegjësisë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Nuk priten rezultate konkrete. Por edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA janë një faktor që mund të çojnë në shtyrjen e gjetjes së një zgjidhjeje”.

Në Shkup, autoritetet e larta shtetërore nuk kanë paralajmëruar ndonjë takim konsultativ të radhës për të diskutuar për çështjen e emrit. Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se nuk kishte dijeni nëse do të zhvillohet ndonjë takim i ri mes tij dhe presidentit Cërvenkovski për shqyrtimin e pakos së fundit të ideve për emrin të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic. Gruevski tha se presin që sot të njihen nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan Stjuart E.Xhons për qëndrimet zyrtare amerikane për çështjen e emrit.

Propozimi i fundit i ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara Metju Nimic është që emri kushtetues të ketë përdorim brenda vendit dhe në komunikimin dypalësh me shtetet tjera, ndërsa propozimi “Republika Veriore e Maqedonisë” të përdoret në komunikimin ndërkombëtarë.

Lidhur me çështjen e identitetit dhe gjuhës kombëtare maqedonase jozyrtarisht bëhet e ditur se është propozuar një zgjidhje që gjuha dhe identiteti kombëtarë maqedonas të njihet si të Republikës Veriore të Maqedonisë.
Parlamenti i Maqedonisë pritet të fillojë debatin për një rezulotë të propozuar nga opozita për unitet gjithëkombëtar dhe gjithëpartiak për çështjen e emrit.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›