Ambasadori gjerman vëzhgon zgjedhjet në Shkodër: Gjykoj se është një përgatitje shumë e mirë e tyre

Ambasadorët perëndimorë në vendin tonë, duket se janë shumë aktivë gjatë ditës së sotme, në monitorimin e procesit zgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme vendore, në 6 bashki të vendit. Ambasadori gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf, ka qenë në Shkodër, duke vëzhguar procesin për kryetar bashkie, në qytetin më të madh verior.
Në një prononcim për mediat, ambasadori e vlerësoi si shumë të mirë procesin e votimit dhe tha se nuk ka pasur ndonjë sinjalizim për shitblerje votash.
“Mendoj se të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme për vendin. Unë personalisht jam kureshtar të shikoj si është atmosfera e përgjithshme e zgjedhjeve. Gjykoj se është një përgatitje shumë e mirë e tyre. Unë vij herë pas herë me shumë dëshirë në Shkodër. Nuk ka pasur një shkak të veçantë. Në vendin tim nuk ekzistojnë zgjedhjet të pjesshme të këtij version. Ishte dhe kjo një arsye e shtuar pse erdha. Ka patur në raportet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e kaluara, rreth rasteve për shitblerje votash. Nuk kam pasur sinjalizim për zgjedhjet aktuale për raste shit-blerjesh votash. I referohem edhe Celibashit, i cili theksoi pak ditë më parë se kanë mbërritur asnjëlloj rasti të shitblerjes të votave.”- tha ambasadori Zingraf.