Ambasadori hidhet nga ballkoni t'i shpëtojë policisë
Ish-punonjësit të bluve iu gjetën në shtëpi vula të institucioneve shqiptare dhe greke, si dhe të ambasadave
SARANDË - Hidhet nga ballkoni për t'i shpëtuar policisë, por mbetet i plagosur rëndë. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur orët e vona të së shtunës në Sarandë, kur një 56-vjeçar, banor i këtij qyteti, me profesion taksist, është hedhur nga ballkoni i katit të tretë në banesën e tij në lagjen nr.1, në prani të ekspertëve të kriminalistikës duke tentuar t'i shpëtonte prangosjes. Mësohet se shtetasi Selman Lumani dyshohej se ishte pjesë e një grupi që merrej me falsifikimin e dokumenteve zyrtare. Për këtë arsye, uniforma blu të sektorit kundër krimit ekonomik kryen një kontroll të befasishëm në banesën e 56- vjeçarit mbrëmjen e së shtunës, ku edhe gjetën provat e mjaftueshme që konfirmonin dyshimet e tyre, ndërsa shtetasi Lumani ka pranuar të bashkëpunojë me policinë.
Pasi ka treguar se ku gjendeshin vulat dhe gjithë materialet e tjera, uniformat blu e kanë prangosur atë, por 56-vjeçari ka deklaruar se kishte të tjera vula të fshehura në ballkon. Në këtë moment, Lumani ka dalë i prangosur në ballkon, prej nga është hedhur dhe ka përfunduar mbi një autoveturë të parkuar në rrugën poshtë pallatit e pas kësaj ka rënë në asfalt. Mjekët e spitalit "Petro Nako" në qytetin e Sarandës kanë pohuar se gjendja shëndetësore e 56-vjeçarit ka qenë mjaft e rëndë, pasi ka pasur shumë faktura në gjymtyrë e dëmtime në të gjitha pjesët e trupit dhe për këtë arsye është transportuar menjëherë drejt Tiranës.
Burime policore bëjnë ndërkaq të ditur se për të njëjtën akuzë Selman Lumani është prangosur edhe gjashtë vjet më parë, gjithashtu pas një kontrolli në banesë, ku iu gjetën disa vula institucionesh shtetërore, por u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u provua veprimtaria e falsifikimit të dokumenteve shtetërore. 56-vjeçari deri në vitin 1997 ka qenë pjesë e uniformave blu të komisariatit të policisë së Sarandës, por më pas është liruar për shkak të reformave, ndërsa aktualisht punonte në mënyrë të përditshme si taksist linjën Sarandë-Janinë.
Policia
Ndërkohë policia e Sarandës u shpreh se pas informacioneve të marra ishte organizuar operacioni "Tre rrugët", ku u bë i mundur vënia në pranga e Selman Lumanit. 56-vjeçari ishte dënuar më parë për "falsifikim të stampave e vulave". Sipas policisë, ai e ushtronte aktivitetin e vet në Sarandë, Gjirokastër, Delvinë, si dhe në shtetin grek, pasi zotëronte edhe dokumente greke. Hetimi për këtë shtetas zgjati rreth 4 muaj. Lumani falsifikonte dokumente të hipotekave dhe institucioneve shtetërore. Ndaj tij janë ngritur akuzat e "falsifikimit të dokumenteve zyrtare" dhe "falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve".
U sekuestruan:
Vula të zyrës së gjendjes civile të Bashkisë Sarandë
Vula të transportit rrugor Gjirokastër
Vula të Komisariatit të Policisë Sarandë
Vula të Bashkisë Delvinë
Vula të Ambasadës Shqiptare në Athinë
Vula e Legalizimit të dokumentave në Ministrinë e Jashtme
Vula e sekretarit të parë të një kosullate shqiptare
Vula e Komunës Aliko
Vula e Poliklinikës Sarandë
Vula e Drejtorisë së Tatimeve Sarandë
Vula e Drejtorisë së Tatimeve Tiranë
Vula e Ministrisë së Jashtme e Republikës së Shqipërisë
Vula e Ministrisë së Arsimit e Republikës së Shqipërisë
Vula e Shkollës së mesme "Hasan Tasimi" Sarandë
Vula e Zyrës arsimore Sarandë
Pajisje vule numerike
Vula të Konsullatës Greke në Gjirokastër
Vula e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Greke,
si dhe 9 vula të institucioneve të ndryshme të shtetit grek
Dokumentet:
30 certifikata personale të gjendjes civile të Bashkisë Sarandë të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
12 leje ndërkombëtare për drejtim automjeti, të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
10 dëftesa pjekurie të shkollës së mesme të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
6 dëftesa asistence në lindje të vulosura nga spitali rajonal Sarandë dhe të firmosura, të paplotësuara
14 kontrata shitje dhe përdorimi automjeti të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
3 vërtetime të gjendjes gjyqësore të Ministrisë së Drejtësisë, të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
6 certifikata të sigurimit motorik të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Gjirokastër, të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
2 leje ndërtimi të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara, të lëshuara nga Bashkia Sarandë
1 dëshmi kualifimi për kurs infermiere dhe mami të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
15 certifikata të kontrollit teknik të automjeteve të vulosura dhe të firmosura, të paplotësuara
1 pasaportë ndërkombëtare e paplotësuar, e vulosur dhe e firmosur
1 vërtetim pagëzimi në gjuhën greke, e vulosur, e firmosur e paplotësuar
1 vërtetim për dhënie statusi për të përndjekur politik e vulosur, e firmosur, e paplotësuar
Një kompjuter i programuar për plotësimin e certifikatave të gjendjes civile
Si dhe një sasi lekësh dhe eurosh