E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse dyshoj për të parët tanë

Pellazgët, ilirët, shqiptarët. Me këtë analizë mbi etnogjenezën tonë, mbyllim ciklin e shkrime nga dhe për Mustafa Krujën


Nji gjâ aq'e habiçme âsht trûn'i njeriut, sa ka mbërrîmë t'a shtjë subjektin e vet, për faqe krejt normal, me pyetun vetveten: "A jam apo s'jam?". Dhe ai qi ka qênë me të vërtetë normal, ka besuem e thânë: "Jam tue menduem, pra qênkam!"
Por pa mbërrîmë ende me e çuem kureshtën e shqeptiqizmën deri për të qênët e vet, njeriu ka filluem nga sqyrtim'i botës së përjashtme, të cilën e ka damë në tri pjesë: âsht, ndoshta âsht, jo s'âsht!

Ka thânë për të parën: "Âsht, se qe, jam tue e pamë, ndëgjuem, shijuem, prekun a tue i ndiem erën", ase: "âsht, se, mbas sa jam tue vërtetuem me shqiset e mija, po ma merr mêndja qi duhet të jetë".

Për të dytën: "Sa jam tue vërtetuem me shqiset e mija, s'po ma mbushin mênden se âsht, por mundet edhe me qênë".
E për të tretën: "Kurrgjâ rreth meje qi të më shtjë nemose me lodhun mênden për t'a vërtetuem; pra s'âsht"!

E keqja për njerzinë ka qênë se shqiset përfshijnë pak sende pa marrë pjesë edhe mêndja për t'i vërtetuem e se kjo e shkreta s'ka qênë kurrë e njâjtë as për dy vetë. Prandej bota na paraqitet krejt si nji lâmsh problemash, tue u nisun qyshë prej krijesës, e lodhen njerzit për t'i zgjidhun, hahen, zien, grihen, si të jetë rândsija e tyne dhe interesa e secilit për to.

Ja, jemi tash edhe këtu përpara nji probleme. Âsht nji problemë shkencore qi lidhet me të kaluemen t'onë, problem'e Pelazgjet. Madje janë dý problema në nji emën: e para, kush kanë qênë përnjimênd Pelazgjit, kur e ku kanë jetuem, cila ka qênë origjin'e tyne? Dhe dyta, a jemi na Shqiptarët stërnipnit e largë të tyne? Do të ketë ndoshta shumë prej kënduesish t'anë qi kujtojnë se zgjidhja e ksaj probleme, sidomos për sa i përket pjesës së dytë, âsht gjetun me kohë: s'ka dyshim se Pelazgjit kanë qênë të parët t'anë, mâ të lashtët qi njihen!

Mjerisht për mue ka shumë dyshim, e tash po kallzoj se pse. Por t'a nisim bisedën me rend, tue folë pikë së pari mbi Pelazgjit mbë vete, d.m.th. pa lidhje me ne.
Emnin Pelazgj e ka nxânë bota prej Helenvet. Flet mâ së pari për ta Epopeja, mbasandej historjanët e tyne. Thonë se ishin populli autokthon i visevet qi pushtuen mbandej Helenët: u shtruen, u shpërdanë ase u grînë prej këtyne. Kritika moderne shfaq disa dyshime: ishin vërtet Pelazgjit nji popull i unjishëm qi kishte për banë të tij të gjitha viset e pushtueme prej Helenvet? Ishin ato banorë autokthonë t'atyne viseve fise të ndryshme të nji race? Ishin fise me origjina të ndryshme e pa lidhní politike ndërmjet sish? Arqeologjija s'ka mbërrîmë deri sod ende me u dhânë nji përgjegje as të preme as të bindshme për të gjithë këtyne pyetjeve. Dihet, po, qi ai popull ase ato popullata autokthone qi Helenët i kanë quejtun Pelazgj kanë pasun nji farë qytetnije mjaft të përparueme. Shênji mâ karakteristik i ksaj qytetnije kanë qênë pikrisht qytetet, të rrethueme me mure qyklopjane, d.m.th. të ndërtueme me gurë shumë të mëdhaj e të vumë cip mbi cip pa çementë. Këto mure si pyramidet e Egjyptit, kanë mujtun me u qëndrue kohnavet, mvatjevet e luftavet pa ndiem aspak për to. Egjyptjanët ishin besimtarë të thellë dhe urdhnat e faraunvet ishin për ta hyjnorë; skllavë a të lirë, i u kurrusnin punës në gërmime kanalesh a ndërtime tempujsh e pyramidesh me ndienjën e besimtarit qi kryen nji detyrë fetare. Por Pelazgjit nën ç'farë shtsi i kanë bâmë gjth'ato punë të rânda? Sigurisht kanë pasun edhe ata prinjsat e tyne, me tituj qi na janë të panjohun. Kishin edhe këta mbi popullin nji ndëkim e pushtet despotik, të pranuem prej frike të zotnavet a të robvet, si faraunët a mbretna kohësh e vêndesh tjera? Apo ishin njerëz të lirë me nji ndërgjegje solidarije shëmbllore e të pabesueshme për ato kohna? Nuk dijmë kurrgjâ.

Pelazgjit ishin bulq e prandej dashamirë të paqës. Do të kenë qênë edhe detarë të zott, sepse na thuhet se edhe ishujt e Egjeut ishin të banueme prej sish. Por kur flitet për qytetninë egjejane, paralele e thuejse të njikohshme me ato t'Egjyptit e të Mesopotamisë, s'përmênden Pelazgjit. Si djep i ksaj qytetnije përmêndet Kreta, pa u pohuem përgjithsisht se popullsij'e atij ishulli ka qênë pelazge. Âsht e vërtetë se ndërmjet qytetnisë së Kretës e asaj të kontinentit ka pasun nji ndryshim të madh. Ndër sa veçorí tjera, në Kretë janë zbuluem përmendore me mbishkrime, të cilat s'kanë mundun me u decifruem; tjetërkund ndër banorë të Pelazgjet jo. Por arqeologjija ka ende shumë punë për t'a thânë fjalën e fundit për Pelazgjit.

Dy historianë të shquem, si Gustave Glotz e Robert Cohen na sigurojnë në vllimin e parë të veprës së tyne (HGr.) se Pelazgjit s'kanë qênë indoevropjanë. Gjithashtu edhe për popullin e Kretës na flasin me gjithaqë sigurí qi s'kanë as arjanë as semitë. Por as për njânën palë as për tjetrën nuk shthen mâ gjatë, deri aty, thonë ata, ka mundun të mbërrîjë sod shkenca. Anthropologjija i ep mjaft rândsí, për karakterizimin e racës, edhe matjes së kafkës, simbas së cilës i dán racat në tri kategorí: kokgjatë, kokshkurtën dhe kokmesëm. Por për të kuptuem se sa i gënjyeshëm âsht ky kriter në praktikë, mjafton të marrim para sshë se në bazë të kafkavet thrako-ilire qi ka zbuluem deri sod arqeologjija, Thrakët ishin kokgjatë dhe Ilirët kokshkurtën! E pra në ka gjetun gjâ krejt të sigurtë shkenca deri tash për sa u përket atyne dy popujve, ajo âsht qi ata ishin gjak e gjiní fare t'afër. Prandej as për Pelazgjit nuk shoh nevojë t'i mërzis kënduesit me tfillime akademike rreth ksaj pike.

Greqija parahelenike ishte e banueme prej Pelazgjet. Mbi këtë pikë, nemose, të gjithë shkrimtarët kompetenta gjinden në nji mendim. Larisa ka qênë, me gjithë emnin qi ka sod, nji qytet pelazg. Por deri ku mbërrîjshin ata kah veriu e deri ku në brigjet e Egjeut? Këtu hypothesat janë të shumta e të ndryshme e âsht kot qi të zgjatem mbi to, mbasi asnjâna s'âsht mâ e bindshme se tjerat. Gjithashtu, dijetarët qi janë marrë me problemën e Pelazgjet s'janë aspak në nji mendim për të caktuem trevën se nga kanë dalë e ardhun n'Egjè e në Balkan. Dikush thotë se kanë pushtuem mâ së pari Qykladet; pra duhet të kenë ardhun nga Asija e Vogël; tjerë ende u shënojnë për banë origjinore Maqedoninë.

Ndërsa âsht fakt i sigurtë qi Helenët, tue rrjedhun ndër trojet e tyne balkanike, së pari me Akajanët, aty në të XV qv. p.K., kishin gjetun atje Pelazgjit. Përkundrazi gjindemi krejt në nji fushë hypothesash shum'a pak të ngjashme për sa i përket epokës në të cilën Pelazgjit ishin vëndosun n'ato treva. Fillim'i ksaj epoke vêhet nj'aty kah 3000 vjet p.k., kur atje përballë, n'Egjypt shkëlqente mâ e vjetra qytetní e kulturë e botës, sikurse në Mesopotamí. Por ai popull nuk u dynd i gjithë për nji herë nga trojet e vjetra, cilat do paçin qênë, për me zânë vêndet ku i gjetën Akajanët mbas 15 qindvjeç; duket se mërgatat e tyne kanë vazhduem valë-valë nja 500 vjet. Kështu ka ndodhun për të gjitha mërgatat e mëdhà parahistorike e, shum'a pak , edhe për ato të kohnavet historike.

E mos të kujtojmë se atje ku votën për me krijuem nji atdhe të ri e nji jetë të re, Pelazgjit gjetën shkretina, pyje e male qi s'kishin pamë veçse egërsina. Dijetarët na flasin për nji qytetní mâ të vjetër, me kuptimin shkencuer të fjalës, siç e kam tfilluem mâ nalt, të cilën e cilësojnë danubjane dhe i caktojnë këta kufîj: lumnat Neckar e Main të Gjermanisë, shpatin juguer të Karpathvet dhe Egjeun e Adrijatikun. Gjithashtu, edhe qytetnija kreteze kishte nisun të zhvillohej shumë mâ heret e mbishkrimet gjeroglyfore të përmendorevet qi janë zbuluem n'at'ishull llogariten qyshë prej qv. XXVI p.k,. E në qoftë se e pranojmë si nji gjâ të pakuptueshme qi Pelazgjit mos t'a kenë pushtuem edhe atê si ishujt tjerë t'Egjeut, do të quhet nji nderë për ta qi e kanë lânë atë qytetní jo vetëm me jetuem, por edhe me përparuem e rrëgjyem përherë mâ fort. Të na falen hypothesat, se kur flitet për ndodhí qi janë zhvilluem mija vjetsh para epokës historike do t'ishte guxim me pohuem ase mohuem si

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›