E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ministri: Pse kandidoj përballë Ramës

Ish-ministri i Financave gjatë qeverisjes së socialistëve, shpjegon arsyet pse vendosi të kandidojë për kryetar të Partisë Socialiste

Malaj: Ndryshimet statutore, parakusht për kandidimin

Arben Malaj gjykon se Rama nuk duhet të kandidojë, për shkak se ai dështoi në filozofinë e tij politike dhe drejtuese të partisë

Kandidati i vetëshpallur për postin e kryetarit të ardhshëm të Partisë Socialiste, Arben Malaj, prezanton platformën e tij të drejtimit të partisë, si dhe jep arsyet pse Edi Rama nuk duhet të marrë pjesë në këtë garë. Rritja e rolit të forumeve partiake në vendimmarrje, lejimi i fraksioneve, por edhe zgjerimi i koalicioneve bashkëpunuese opozitare, janë pikat më të forta, me të cilat Malaj do të paraqitet fillimisht në kongresin e 29 gushtit, por edhe përpara anëtarësisë më pas, gjatë fushatës elektorale që do të zhvillohet në këtë forcë, në kuadër të zgjedhjeve për kryetarin e partisë, sipas parimit "një anëtar një votë".

Me gjithë përgatitjet për këtë konkurrim, Malaj i vë kushte partisë së tij se do të vazhdojë kandidimin vetëm në rast se kongresi i 29 gushtit do të pranojë të diskutojë dhe votojë propozimet për ndryshimet në statutin e partisë. Pavarësisht insistimit të gazetës, Malaj nuk bën të qartë në këtë intervistë se cili do të jetë roli i Ben Blushit në këtë garë, me të cilin vetëm pak ditë më parë zhvilloi një takim pa praninë e mediave.

Z. Malaj, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit lanë sërish PS-në në opozitë, pavarësisht se gjatë procesit zgjedhor u vunë re parregullsi që cenuan standardin e tyre. Sipas jush, si mund të ndahen përgjegjësitë për këtë rezultat, duke nisur nga strukturat në bazë deri në qendër?

Po, këto zgjedhje patën shumë parregullsi, ato rezultuan se nuk arritën standardet europiane. Këto zgjedhje që u konsideruan kusht për demokracinë shqiptare, mund të rezultojnë kusht i paplotësuar për të përshpejtuar integrimin e vendit. Ato, përfundimisht, nuk mund t'i japin të drejtën qeverisë të ndjehet krenare për disa përmirësime logjistike pjesore, duke fshehur përgjegjësinë për këtë dështim politik. Partia Socialiste dhe aleatët e saj, fatkeqësisht mbetën sërish në opozitë. Ndërsa gjykimi i drejtë dhe i plotë mbi përgjegjësitë e strukturave drejtuese të PS-së, duhet të marrë në konsideratë mënyrën se si u riorganizua e gjithë partia, nga qendra deri në bazë.

Siç dihet, konceptimi i fushatës, organizimi dhe drejtimi i saj, përzgjedhja e ekipit konkurrues e kandidatëve për deputetë, menaxhimi deri në detaje i marketingut mediatik publik të këtij ekipi, nuk kanë qenë pjesë e një pune të një ekipi të përbashkët të saj, por thjesht dhe vetëm produkte të imponimit të autoritetit personal të tepruar të liderit. Çdo mosnjohje e gabimeve të katër viteve të fundit apo deformim i analizës jashtë këtij koncepti demokratik dhe fondamental për një parti politike anëtare të Internacionales Socialiste, siç është PS-ja, vetëm se rrezikon ruajtjen e padëshirueshme të status-quo-së, mbulon shkaqet dhe faktorët e vërtetë të humbjes sonë dhe paralajmëron përkeqësimin në zhvillimet e brendshme politike dhe organizative të PS-së.

Sa përgjegjësi kanë krerët e shtabeve elektorale në çdo qark për këtë rezultat të munguar?
Objektivat konkrete të çdo qarku, premtimet konkrete të çdo drejtuesi qarku, bashkëpunimi për përzgjedhjen e ekipit në nivel qarku, organizimi i fushatës në nivel qarku, mbeten të kenë qenë marrëdhënie shumë të vertikalizuara midis kryetarit të PS-së dhe drejtuesve lokalë. Nuk dyshoj se nuk ka pasur dëshirë, vullnet dhe përgjegjësi për një rezultat sa më të mirë nga të gjitha nivelet e PS-së, por nga ana tjetër, nuk mund ta fshehim që ky modeli i liderit me pushtet absolut, për shkak të përgjegjësisë absolute në rast humbjeje, modeli i një drejtimi të vertikalizuar deri në detaje, ka ndikuar negativisht në mosmaksimizimin e mundësisë për fitore.

Çfarë nuk funksionoi në strategjinë e PS-së në këto zgjedhje?
Duhet të funksiononte më mirë fryma e ekipit, procesi përzgjedhës dhe motivues jo thjesht dhe vetëm gjatë zgjedhjeve, mund të kishte përpjekje më të plotë të PS-së dhe partive aleate për zgjerim të koalicionit, mund të ishte prezantuar më mirë programi, mund të ishte përzgjedhur më mirë dhe promovuar më mirë ekipi konkurrues në zgjedhje. Theksova çfarë mund të ishte bërë më mirë, sepse pikërisht këto duhet të jenë prioritetet e ardhshme të çdo lideri dhe lidershipit të PS-së në nivel vendor dhe qendror. Në rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit, mendoj se PS-ja u dëmtua jo pak edhe nga qenia e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, shkak për të cilin e gjithë fushata e së djathtës u fokusua në akuzat për problematikën e bashkisë. Nuk ka dyshim se situata të tilla të qenies së dyfishtë, njëkohësisht në pushtet dhe në opozitë të liderit kryesor të partisë, nuk duhen lejuar kurrë më në të ardhmen.

Ju jeni shprehur hapur se do të kandidoni për kryetar partie. Pse mendoni se socialistët duhet t'ju zgjedhin ju dhe jo Edi Ramën?
Garën e kishte hapur vetë Rama kur e ndërtoi gjithë drejtimin e tij të PS-së tek largimi në rast humbjeje. Me këtë argument mbylli debatet, reduktoi demokracinë e brendshme, ndërtoi listat e deputetëve dhe gjithë fushatën. Rama e kaloi pa sukses provën e modelit të tij të drejtimit të një force politike. Kam shpresuar se Rama realisht është më shumë i interesuar dhe përgjegjës për kredibilitetin afatgjatë të liderit të forcës më të madhe opozitare, se sa për të mbajtur me çdo mënyrë jostatutore të palëshuar mandatin e postit, për të cilin ka vetëdeklaruar ndërprerjen.

Nëse Rama do të vazhdojë të mos interesohet për pasojat negative të kredibilitetit të cunguar të liderit të PS-së, kjo do të jetë një kosto shtesë jo thjesht për karrierën e tij, por edhe për sfidat e afërta të Partisë Socialiste. Deformimi i garës në aspektin moral dhe në detajet e organizimit, keqpërdorimi i strukturave drejtuese të PS-së në nivel qendror dhe vendor për deklarata, që Rama vetë i konsideronte më parë fletërrufe, presioni për të mos kandiduar apo joshja për të rikandiduar kryetar komune dhe bashkie, jo në bazë të rezultateve të tyre ndaj komunitetit, por sipas shkallës së besnikërisë ndaj kryetarit, janë fenomene që Rama jo vetëm nuk po i ndalon, por po i nxit dhe shpërdoron edhe mbas humbjes së 28 qershorit.

Ky është edhe shërbimi më i keq që një lider i bën së ardhmes së vet politike, kosto që në të vërtetë mund ta paguajë rëndë edhe vetë Partia Socialiste në zgjedhjet vendore 2011-ës dhe ato parlamentare 2013. Koha është gjykatësi më i mirë. Të mos harrojmë që ajo ecën shumë shpejt. Rama është përballë qëndrimit publik të vërtetojë me rezultate dhe jo me demagogji nëse është një lider apo një sundues, qoftë edhe i përkohshëm i Partisë Socialiste. Këmbëngulja për të hedhur poshtë gjithë filozofinë, me të cilën ndërtoi sfidën e fitores, me qëllim fshehjen dhe devijimin e përgjegjësive të tij individuale për humbjen, e vendos atë në një pozitë jo kredibël përballë opinionit publik, në kundërshtim të plotë me interesat themelore të elektoratit.

Kjo nuk është garë midis dy a më shumë individëve, ajo mbetet të jetë një garë midis dy modeleve qartësisht dhe thelbësisht të ndryshëm. As do ta parapëlqeja dhe as do ta imponoja një model të pushtetit absolut dhe një organizim e drejtim të vertikalizuar të Partisë Socialiste.

Çfarë përmban platforma juaj për sa i përket së ardhmes së opozitës dhe sidomos në lidhje me marrëdhëniet e PS-së me LSI-në?
Thelbi i platformës ndryshe, është pikërisht ky: Jo një lider me pushtet absolut, për shkak të përgjegjësisë absolute për humbjen, por një platformë dhe një model konkret i drejtimit të PS-së si një parti me demokraci të brendshme dhe institucione partiake të konsoliduara. Një parti me demokraci të brendshme reale dhe jo demagogjike, një parti që e rrit transparencën e analizave dhe vendimeve të saj publike, një parti që bazohet tek institucione të forta vendimmarrëse në nivel vendor dhe qendror, një parti që e respekton dhe nuk e kufizon apo eliminon mendimin ndryshe, e sjell këtë forcë politike më afër fitores, e ndihmon dhe liderin e saj të jetë i suksesshëm.

Jo një lider që kërkon ta fillojë nga pika zero, që mohon gjithçka të arritur, që eksperimenton me abuzivitetin e pushtetit të tij absolut. Ky model lideri e pengon çdo forcë politike që të fitojë zgjedhjet dhe të përmbushë misionin e saj në jetën politike të vendit. Kjo platformë do të propozojë përmirësime konkrete organizative dhe strukturore, duke e bërë më të balancuar drejtimin e PS-së, duke i dhënë më pushtet të drejtpërdrejtë përzgjedhjes së strukturave partiake për përfaqësuesit e tyre në qeverisjen vendore, pavarësi reale funksionimi dhe promovimi forumit të rinisë dhe gruas, pushtet në rritje grupit parlamentar, një sistem më motivues i promovimit dhe karrierës në PS. Koalicionet dhe aleancat në zgjerim do të jenë pjesë e filozofisë bashkëpunuese dhe fituese të PS-së, si për zgjedhjet vendore, dhe ato parlamentare. Një moment i veçantë është hapja e partisë për prurjet e reja me një promovim nxitës dhe me rezultate konkrete në dinamikë, të bazuara në principin e meritokracisë dhe të karrierës. Modeli i ri nuk e përjashton përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve parlamentare, por nuk e kushtëzon atë me një pushtet absolut individual.

Puna në ekip tenton ta rrisë produktivitetin e opozitës në tërësi dhe nuk do të shërbejë si alibi për mosarritjen e fitores apo për dështime të qarta politike dhe të modelit të ofruar si zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Na mbetet ta respektojmë konkluzionin se politika është arti i të pamundurës. E quaj të parakohshëm, ndoshta edhe jo efektiv koalicionin e LSI-së me PD-në. Nga ana tjetër, siç tregon edhe përvoja e partive politike në vende me demokraci të konsoliduar (Gjermani etj.), nuk duhet konsideruar si një herezi mundësia që parti të spektrit të ndryshëm politik, në momente të caktuara, të krijojnë koalicione jo thjesht dhe vetëm sipas të njëjtit spektër. LSI-ja është përballë sfidës për të vërtetuar qartësisht dhe me rezultate konkrete efikasitetin e kësaj marrëveshjeje për të gjithë shqiptarët. Koha është gjykatësi më i mirë.

Çdo analizë e mbingarkuar politike, çdo garë për epitete denigruese, çdo qëndrim kategorik për të mos bashkëpunuar në momente të caktuara për reforma prioritare apo për reforma të sistemit zgjedhore që respekton më mirë votën në nivel kombëtar, vetëm e zgjat qenien e PS-së dhe aleatëve të saj në opozitë, duke shtuar kështu edhe vështirësitë e kuptueshme të arritjes së mazhorancave të domosdoshme publike dhe politike. Partia Socialiste, ose më saktë Rama, gjatë viteve të drejtimit të PS-së nga ana e tij, ka bërë marrëveshje për reforma kushtetuese me PD-në, madje në mënyrë jo transparente, pa asnjë konsultim me qytetarët dhe me aleatët politikë, dhe nuk mund të gjejë tani alibi për mosbashkëpunim para apo paszgjedhor me LSI-në, apo më tej, gjatë katër viteve të ardhshme dhe në objektivin politik të rithemelimit të një koalicioni të majtë. Personalisht nuk jam për mazhoranca që tentojnë të krijohen nga shitblerje deputetësh.

Jam për mbajtjen e derës hapur për çdo bashkëpunim dhe partneritet të mundur, si me forcat politike të spektrit të majtë, ashtu edhe për çdo anëtar dhe simpatizant të PS-së. Qëllimi i politikës mbetet ardhja në rrugë demokratike në pushtet dhe ushtrimi i tij në dobi të shoqërisë shqiptare në tërësi, duke u motivuar nga filozofia politike e së majtës moderne që përfaqëson PS-ja.

Përballë në këtë garë duket se do të keni kryetarin ende në detyrë të PS-së, Edi Rama. Pse mendoni se ai nuk duhet të kandidojë dhe a do të tërhiqeni nga gara, në rast se ai do të zyrtarizojë kandidimin e tij në kongresin e 29 gushtit?

Nuk e kemi kërkuar mosrikanidimin e Ramës për t'i mbyllur askujt karrierën e tij politike. Rama meriton mirënjohjen e socialistëve, por jo vetëm të tyre, për menaxhimin e Bashkisë së Tiranës në tre mandate të njëpasnjëshme, meriton vlerësime pozitive për disa momente të drejtimit të PS-së, por nuk mund dhe nuk duhet të fshehim humbjen e zgjedhjeve politike, të cilat provuan dështimin e tij filozofik, organizativ dhe politik, duke e shndërruar pjesë të historisë dhe jo të aktualitetit politik të PS-së dhe së majtës shqiptare në tërësi. Rama duhet të mos rikandidojë në respekt të modelit që kërkonte të krijonte dhe për të cilin u vetësakrifikua duke u vetëshpallur si misionar.

Largimi i Ramës nga kreu i PS-së duhet konsideruar një proces normal, aq më tepër kur personalitete shumë të respektuara politike në vende demokratike, nuk kanë hezituar të largohen nga skena politike, pa patur detyrime statutore, por kanë respektuar "verdiktin e sovranit" në zgjedhje. Nuk ka dyshim se mosrikandidimi i ruan Ramës kredibilitetin e investimeve të deritanishme politike dhe është një kapital i mirë për çdo angazhim të ri politik potencial në të ardhmen. Rikandidimi i heq Ramës vlerën më themelore që duhet të ketë një lider, kredibilitetin mbi të cilin e ndërtoi dhe kushtëzoi misionin e tij politik, përgjegjësinë e humbjes.

Realisht, ju çfarë prisni nga ky kongres?
Të mos jetë një kongres i brohoritësve, d.m.th., të jetë një kongres i jashtëzakonshëm, për shkak të një humbjeje të përsëritur. Kongresi duhet të jetë një mbledhje pune e përgjegjshme, në të cilën njerëzit nuk vijnë "të rrëzojnë" apo "të ngrenë" këtë ose atë individ, por vijnë të bëjnë bilancin, të nxjerrin mësimet e duhura, të identifikojnë përgjegjësitë. Çdo keqpërdorim i solidaritetit të socialistëve të thjeshtë dhe pa interesa negative, do të jetë cenimi më i madh i kredibilitetit të liderit në detyrë dhe i drejtuesve të këtij kongresi.

Ky kongres duhet të jetë i hapur për diskutime dhe për propozime edhe platformash. Ky kongres duhet të dominohet nga përgjegjësia ndaj së nesërmes, se sa nga ballafaqimi i forcave numerike. Ky kongres duhet të qartësojë publikisht faktin që Partia Socialiste ka vizion, ka kapacitete humane, ka forcë logjike dhe morale të maksimizojë misionin e saj në opozitë. Çdo tendencë për të denigruar me forca numrash solidarë qëndrime kundër apo pro platformave alternative, mund ta kthejë kongresin e 2009-ës si kongresin e fundit të PPSH-së, ku u "mbytën" zërat modernizues së saj vetëm për pak çaste, ndërsa nuk u ndal dot procesi i modernizimit të saj.

Kongresi jo thjeshtë është forumi më i lartë i PS-së, por edhe aktiviteti më i madh dhe më publik ku do të qartësohet nëse PS-ja do të orientohet nga përgjegjësia e fitores, apo nga mosnjohja e humbjes.

Ditët e fundit ju jeni takuar me ish-kryetarin PS-së, Fatos Nano dhe me ish-kreun e grupit parlamentar, Ben Blushi. Çfarë keni diskutuar?
Besoj se kontaktimi i kolegëve, kontaktimi i drejtuesve të PS-së, kontaktimi i liderëve dhe kolegëve nga parti aleate, është i domosdoshëm. Diskutimet për të qartësuar më mirë faktorët e humbjes, për të qartësuar më mirë pasojat e humbjes, për të qartësuar më mirë recetat e ringritjes së PS-së për ballafaqimet e ardhshme politike, do të synoj t'i shtoj. Koha është relativisht e kufizuar, ndërsa domosdoshmëria mbetet konstante dhe jo vetëm për momentet kritike.

Cili është roli i Blushit në këtë situatë, pra a do kandidojë ai, apo do të mbështesë kandidaturën tuaj?
Bashkëpunimi me Blushin dhe kolegët e tjerë deputetë dhe delegatë të kongresit është i fokusuar në sfidat e së ardhmes. Besoj se unifikimi i vizionit, i platformave dhe maksimizimi i ndikimit pozitiv për sfidat e ardhme janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër, në këto takime apo në çdo bashkëpunim të ardhshëm.

Një grup anëtarësh të asamblesë kanë paraqitur një paketë propozimesh për ndryshime në statut, të cilën e keni mbështetur edhe ju. Mendoni se ato mund të arrijnë të demokratizojnë PS-në dhe a do të tentoni që t'i kaloni ato në këtë kongres?
Të gjithë duhet të mbajmë parasysh se për PS-në, si për çdo parti tjetër politike në një vend demokratik, kongresi është forumi më i lartë vendimmarrës. Tendencat për të kufizuar rendin e ditës, për të kufizuar diskutimet, për të kufizuar transparencën me publikun, rrezikon një çarje tjetër të partisë. Në këtë kuptim, ndryshimet e propozuara statutore janë parakusht për garën për kreun e ri të PS-së. Vlerësoj se do të ishte mirë që mos të pengohej hyrja në rendin e ditës, do të ishte shumë mirë që për to të diskutohej pa emocion të tepruar kongresual, dhe do të ishte pozitive për PS-në që për këto propozime të kishte votim të fshehtë.

Kjo eksperiencë ka ekzistuar në PS dhe nuk ka pse të mos aplikohet edhe në këtë rast. Rritja e mirëkuptimit, orientimi drejt konsensuseve më shumë se sa shumicave numerike, na ndihmojnë në këto momente të vështira. Propozimet janë një hap përpara në drejtimin e duhur, janë të domosdoshëm, por mund të rezultojnë të pamjaftueshëm në qoftë se lideri dhe lidershipi i ardhshëm i PS-së nuk orientohet nga përgjegjësia e sfidave, por lodhet nga dëshira për të mos lëshuar një post apo një karrige, partiake apo qeveritare.

Ky është një moment shumë, shumë kritik. Është një test real se si lideri dhe lidershipi i PS-së, do të shikojmë në qoftë se kolegët drejtues të kongresit do të jenë të pavarur për diskutime transparente gjatë kongresit apo do të mbeten në pozicione strikte regresive.

Nëse nuk fitoni në këtë garë, çfarë do të ndodhë në PS, dhe a do të kërkoni ju legalizimin e fraksioneve si një mënyrë për të krijuar hapësirën e duhur institucionale për të shprehur mendimin ndryshe?
Mendimi ndryshe, lehtësia shprehjes së tij dhe respektimi i mendimit ndryshe janë në thelbin e statutit të PS-së. Krijimi i fraksioneve, respektimi i proporcionaliteteve përfaqësuese janë fenomene që në ambiente të ndryshme lidershipi prodhojnë rezultate të ndryshme. Në shumë raste ato e nxisin demokracinë e brendshme në forcat politike, në jo pak raste i kthejnë grindjet proporcionale në sëmundje kronike të dobësimit dhe humbjeve të partive politike.

Vlerësoj se respektimi i mendimit ndryshe, krijimi hapësirave për kolegë me mendime ndryshe, respektimi për t'i angazhuar në ekipet politike edhe kolegë me mendimet ndryshe, janë fenomene që po bëhen me prezente në partitë politike. Lider të ndryshëm me filozofi dhe vizion të ndryshëm, ose i maksimizojnë bashkëpunimet me mendimet ndryshe, ose mbysin çdo mendim ndryshe, çdo oponencë dhe çdo konkurrim real. Kjo u siguron atyre mbijetesë personale, që në shumë raste jeton mbi humbjet e përsëritura të partisë së tij.

Për garën
"Kjo nuk është garë midis dy a më shumë individëve, ajo mbetet të jetë një garë midis dy modeleve qartësisht dhe thelbësisht të ndryshëm. As do ta parapëlqeja dhe as do ta imponoja një model të pushtetit absolut dhe një organizim e drejtim të vertikalizuar të Partisë Socialiste"

Për platformën
"Thelbi i platformës ndryshe është pikërisht ky: Jo një lider me pushtet absolut, për shkak të përgjegjësisë absolute për humbjen, por një platformë dhe një model konkret i drejtimit të PS-së, si një parti me demokraci të brendshme dhe institucione partiake të konsoliduara"

Për LSI-në
"E quaj të parakohshëm, ndoshta edhe jo efektiv koalicionin e LSI-së me PD-në. Nga ana tjetër, nuk duhet konsideruar si një herezi mundësia që parti të spektrit të ndryshëm politik, në momente të caktuara, të krijojnë koalicione jo thjesht dhe vetëm sipas të njëjtit spektër. LSI-ja është përballë sfidës për të vërtetuar qartësisht dhe me rezultate konkrete efikasitetin e kësaj marrëveshjeje për të gjithë shqiptarët. Koha është gjykatësi më i mirë"

Për koalicionin
"Personalisht nuk jam për mazhoranca që tentojnë të krijohen nga shitblerje deputetësh. Jam për mbajtjen e derës hapur për çdo bashkëpunim dhe partneritet të mundur, si me forcat politike të spektrit të majtë, ashtu edhe për çdo anëtar dhe simpatizant të PS-së. Qëllimi i politikës mbetet ardhja në rrugë demokratike e pushtetit dhe ushtrimi i tij në dobi të shoqërisë shqiptare në tërësi, duke u motivuar nga filozofia politike e së majtës moderne që përfaqëson PS-ja"

Për Ramën
"Nuk mund dhe nuk duhet të fshehim humbjen e zgjedhjeve politike, të cilat provuan dështimin e tij filozofik, organizativ dhe politik, duke e shndërruar pjesë të historisë dhe jo të aktualitetit politik të PS-së dhe së majtës shqiptare në tërësi. Rama duhet të mos rikandidojë në respekt të modelit që kërkonte të krijonte dhe për të cilin u vetësakrifikua duke u vetëshpallur si misionar"

Për kongresin
"Të mos jetë një kongres i brohoritësve, d.m.th., të jetë një kongres i jashtëzakonshëm për shkak të një humbjeje të përsëritur. Kongresi duhet të jetë një mbledhje pune e përgjegjshme, në të cilën njerëzit nuk vijnë "të rrëzojnë" apo "të ngrenë" këtë ose atë individ, por vijnë të bëjnë bilancin, të nxjerrin mësimet e duhura, të identifikojnë përgjegjësitë. Çdo keqpërdorim i solidaritetit të socialistëve të thjeshtë dhe pa interesa negative, do të jetë cenimi më i madh i kredibilitetit të liderit në detyrë dhe i drejtuesve të këtij kongresi"

Për Blushin
" Bashkëpunimi me Blushin dhe kolegët e tjerë deputetë dhe delegatë të kongresit është i fokusuar në sfidat e së ardhmes. Besoj se unifikimi i vizionit, i platformave dhe maksimizimi i ndikimit pozitiv për sfidat e ardhme janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër, në këto takime apo në çdo bashkëpunim të ardhshëm"

Për statutin
"Të gjithë duhet të mbajmë parasysh se për PS-në, si për çdo parti tjetër politike në një vend demokratik, kongresi është forumi më i lartë vendimmarrës. Tendencat për të kufizuar rendin e ditës, për të kufizuar diskutimet, për të kufizuar transparencën me publikun, rrezikon një çarje tjetër të partisë. Në këtë kuptim, ndryshimet e propozuara statutore janë parakusht për garën për kreun e ri të PS-së"

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›