Ambasadori i KE i dorëzon progres-raportin Berishës
TIRANE - Ambasadori i Prezencës së Komisionit Europian në Shqipëri i dorëzoi kryeministrit Sali Berisha progres-raportin e KE-së, që nënvizon se vendit tonë i duhet ende punë për të arritur standardet e vendosura nga BE-ja.
Berisha pranoi si objektiv raportin e KE-së, duke pranuar se gjithë kritikat në adresë të qeverisë së tij do të shihen me seriozitetin e nevojshëm.
"I falënderoj për raportin objektiv që kanë miratuar për Shqipërinë dhe sigurova Lohan se ky raport do të jetë program pune për të gjitha ministritë dhe agjensitë e këtij vendi. Dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe për faktin se ne kemi kaluar një provë shumë të rëndësishme para qytetarëve shqiptarë, por edhe partnerëve e miqve tanë dhe para KE-së, provën e zgjedhjeve"- tha Berisha.
Sipas tij, në këtë kontekst raporti ka vlerësimin e tij objektiv, ndërkohë që qeveria mbetet e vendosur të punojë në mënyrë serioze për përmirësimin e problemeve të ngritura për të përmirësuar më tej procesin zgjedhor.
"Zgjedhjet kanë qenë moment fondamental për qeverinë dhe largimi nga situatat e mëparshme është një dëshmi e funksionimit të demokracisë në këtë vend.
Kur bëhet fjalë për këtë gjë jam i vetëdijshëm se kjo demokraci ka nevoja të mëdha për përmirësime të mëtejshme"- tha ai.
Berisha pranoi se raporti evidenton arritje pozitive dhe përparime, por shtoi se në të evidentohen edhe mangësi e probleme.