E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Tender ndërkombëtar për Unazën e Tiranës. Rama: Kryeministri s'kupton detyrën e tij

TIRANË- Unaza e madhe e Tiranës është bërë objekt replikash sot mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha ka deklaruar se do të bëjë tender ndërkombëtar për dhënien me koncension të ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës, duke e quajtur këtë një nga domosdoshmëritë më të mëdha infrastrukturore të vendit.
Pas kësaj, ka ardhur reagimi i Ramës, sipas të cilit Berisha nuk kupton detyrën e tij dhe vazhdon në rrugën e cenimit të autonomisë së pushtetit vendor.

Rama
"Përditë e më shumë po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët që kanë një kryeministër halldup që nuk kupton detyrën e tij dhe që në shkelje të plotë të së drejtës dhe detyrës së tij, grabit votat e shqiptarëve, grabit pasuritë e tyre, grabit gjithçka gjen rrugës vetëm në funksion të pushtetit të familjes së tij. Përfytyroni për një moment kryeministrin e Italisë që merret me unazën e Romës apo atë të Greqisë duke u marrë me unazën e Athinës"-tha Rama. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e infrastrukturës në bllokun numër 45, zona mes Kamzës dhe Ish kombinatit Josif Pashko.

Berisha
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha deklaroi se ndërtimi i kësaj unaze përbën një domosdoshmëri të madhe. Për këtë ai kërkoi përgatitjen sa më shpejt të tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e saj. "Në këtë tender duhet të përcaktohen si përparësi madhore 2 segmente nevralgjike të kësaj unaze. Unaza mund të shkoj edhe mbi 30 km dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi, kjo është një vepër shumë e madhe"- tha ai. Për këtë ai deklaroi se do të kërkohet bashkëpunimi me të gjitha qeveritë vendore, me qeverinë vendore të Farkës, të Dajtit, të Paskuqanit, të Kamzës dhe të Tiranës.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›