1-vjetori i 21 janarit, socialistët zbresin në bulevard për homazhe
Partia Socialiste ka vendosur të mbajë një tubim homazh në nderim të 4 viktimave të 21 Janarit. Janë programuar edhe vizita në familjet e katër viktimave
Socialistët e nisin vrullshëm sezonin e ri politik. Përveç një sërë aktivitetesh që do të mbahen me rastin e 20-vjetorit të themelimit të organizatës rinore të kësaj force, socialistët kanë vendosur gjithashtu që të rikthehen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kësaj here jo për të protestuar, por për të kujtuar 4 viktimat e demonstratës së vjetshme, Ziver Veizin, Aleks Nikën, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën, të cilët një vit më parë humbën jetën duke protestuar në të njëjtin bulevard përballë Kryeministrisë. Vendimi është marrë dje në mbledhjen që ka zhvilluar kryesocialisti Rama me sekretariatin e ri të partisë, ku u diskutua edhe kalendari politik i 6 muajve të ardhshëm për këtë forcë.
Tubimi
Një vit nga vrasja e katër protestuesve në 21 janar para Kryeministrisë, PS ka vendosur të organizojë një tubim në përkujtim të Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës. Në këtë përfundim ka arritur mbledhja e djeshme e sekretariatit të PS-së, ku ka qenë i pranishëm edhe kryetari Rama. Tubimi i 21 janarit të ardhshëm do të jetë një homazh i heshtur dhe që për nga forma do synohet të jetë i ngjashëm me atë të organizuar nga opozita më 28 janar 2011. Në homazhe pritet të marrin pjesë opozitarë jo vetëm nga kryeqyteti, por nga e gjithë Shqipëria. Ky vendim është diskutuar më pas edhe me sekretariatin e grupit, ku dhe është rënë dakord që të gjithë deputetët të angazhohen sërish për të sjellë sa më shumë njerëz në Tiranë për të kryer homazhe. Ndaj për këtë qëllim deputetë të kësaj force kanë nisur që dje t’u bëjnë thirrje qytetarëve jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet e tjera, që të gjejnë mundësinë që një orë në 21 Janar t’ia kushtojnë ceremonisë që do të organizohet në kujtim të katër viktimave të demonstratës së vjetshme. Natyrisht që ky tubim do të ketë në vetvete edhe protestën ndaj qeverisë, e cila sipas socialistëve është përgjegjëse për humbjen e katër jetëve.
Vizitat
Por socialistët janë treguar të kujdesshëm që kjo ceremoni të mos lexohet nga opinioni publik si përdorim për interesa politike. Ndaj duke qenë se 21 janari është 1-vjetori i ndarjes nga jeta të 4 demonstruesve, është parë e arsyeshme që familjarët e tyre të mos përdoren në këtë tubim, por t’i përmbahen traditës shqiptare me homazhe në varrezat respektive dhe me pritje në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që një pjesë e drejtuesve socialistë do respektojnë këtë traditë dhe do të bëjnë vizita pranë familjarëve të 4 viktimave. Një vit më parë, gjatë demonstratës së organizuar nga PS-ja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si pasojë e daljes së situatës jashtë kontrollit mbetën të vrarë 3 demonstrues, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, ndërkohë që pak ditë më vonë humbi jetën edhe Aleks Nika, i cili nuk mundi të mbijetonte si pasojë e plagës së rëndë që kishte marrë në kokë.
Fejzi Braushi