Ambasadori i OSBE vizitë në RTSH, takon Drejtoreshën Vasili! Diskutohet e ardhmja e medias publike

Rikthimi i ekranit të RTSH-së në një media konkurruese, si dhe ngritja profesionale e stafit të tij, ka çuar në disa takime Drejtoreshën e Përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasilin, me drejtues agjencish ndërkombëtare dhe ambasadorë të ndryshëm në vendin tonë.
Hapa të rinj bashkëpunimi strategjik janë veçuar në takimin me ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ku u diskutua e ardhmja e medias publike dhe mënyrat sesi RTSH mund të përforcojë rolin dhe kapacitetin e vet në epokën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale.
Konkretisht, në fokus të bisedimeve ishin digjitalizimi i Arkivës, mbështetja strategjike dhe avokuese nga OSBE-ja dhe sigurimi i pajisjeve teknike moderne për stafin.
Në vijim të këtyre takimeve, drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, kërkoi forcimin e bashkëpunimeve edhe me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), ndërsa me ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kagan Atay, kërkoi trajnime të ndryshme për stafin, shkëmbim programacioni, si dhe qasje në bashkëprodhime të serialeve turke, si një nga zhanret e lëvruar me sukses në të gjithë botën nga arti televiziv i këtij vendi.
Më herët, drejtoresha e RTSH-së, Vasili, u takua edhe me ambasadorin e Suedisë në Tiranë, Niklas Ström, me të cilin ndau idetë për zhvillimin e projekteve që synojnë programacion, teknikë dhe kapacitete profesionale më të mira.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/