E Diel, 1 Nëntor 2026

VKM-ja/Miratohet vendimi për autorizimin e shoqërisë “Kayo” për prodhimin dhe shitjen e armëve

Në disa prej vendimeve dhe projektligjet të miratuara nga Këshilli i Ministrave, është miratuar vendimi edhe për dhënien e autorizimit të shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre.

 “Një tjetër vendim i miratuar është dhe autorizimi i shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie”, theksohet nga Agjencia për Media dhe Informim.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave theksohet se qëllimi i këtij vendimi është që t’u sigurojë subjekteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, furnizimin me produkte apo shërbime, në “përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., apo subjekteve të krijuara prej saj”.

Midis vendimeve të tjera  është edhe përcaktimi i rregullave të inspektimit për parandalimin, reduktimin dhe eliminimin e peshkimit të paligjshëm.

“Ky vendim ka për qëllim vendosjen e rregullave dhe të masave të inspektimit, me synim parandalimin, reduktimin dhe eliminimin e peshkimit të paligjshëm, të parregulluar e të paraportuar (në vijim, peshkimi PPP), si dhe krijimin e një skeme certifikimi të zënieve për importin dhe eksportin e produkteve të peshkimit. Ky vendim zbatohet për të gjitha aktivitetet e peshkimit PPP dhe të aktiviteteve të lidhura me të, të kryera brenda dhe jashtë territorit të Republikës se Shqipërisë, të përcaktuara në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar”, thekson Agjencia për Media dhe Informim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›