E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Prezencës në Tiranë, Eugen Vollfarth, takime me përfaqësuesit vendorë në Vlorë

15-04-2011 / Elda Tomani

OSBE: Procesi i përgatitjes së zgjedhjeve në Shqipëri, ka shënuar progres

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Vollfarth, theksoi dje në Vlorë se procesi i përgatitjes së zgjedhjeve vendore në Shqipëri ka shënuar progres. Në një prononcim për shtypin, ambasadori i prezencës në OSBE, Vollfarth pas takimeve që pati me përfaqësues të qeverisjes vendore në Vlorë,  nënvizoi se përshtypja që i la ky takim, është se “situata në Vlorë duket paqësore dhe më duket se do të jetë me prosperitet zhvillimi i mëtejshëm”. Shqipëria po u afrohet zgjedhjeve lokale, të gjithë e dimë se po bëhen përgatitjet teknike dhe duket se ka progres në këtë proces, tha më tej Vollfarth. Në lidhje me incidentet e ndodhura, ambasadori i OSBE-së shprehu mendimin se ato nuk duhet të ndodhin dhe njerëzit duhet të sillen në mënyrë të qytetëruar. “Por këto duket se kanë qenë më tepër raste sporadike” - shtoi ai. Takimet që zhvilloi ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, me përfaqësues të qeverisjes vendore, ishin takime në kuadër të periudhës parazgjedhore. Në takimin e zhvilluar në mjediset e Prefekturës, bashkëbisedimi u përqendrua në situatën zgjedhore, ndërkohë që u nënvizua atmosfera e qetë që mbizotëron në Vlorë. Gjithashtu Prefekti i Vlorës, Eduart Veçani theksoi se listat zgjedhore janë më të mirat e hartuara ndonjëherë dhe ndër më të mirat në shkallë vendi. Ai vuri në dukje se fakti që subjektet politike nuk kanë ankesa për to, përbën një argument për cilësinë dhe saktësinë e tyre. Për prefektin Veçani, tensioni i situatës zgjedhore, është më tepër i pranishëm tek politikanët, por jo tek njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët, të cilët janë të orientuar dhe të interesuar për zhvillimin e qytetit. Ai theksoi gjithashtu se me bashkinë e Vlorës dhe njësitë e tjera të qeverisjes vendore, që drejtohen nga përfaqësues të të dy kampeve politike, ka marrëdhënie mjaft të mira institucionale. Nga ana e tij, ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, Eugen Volfarth, evidentoi se prezenca e Zyrës në Vlorë është një provë e mbështetjes që jep OSBE për këtë qytet, një ndër më të rëndësishmit në shkallë vendi. Ai shprehu kënaqësinë që situata në Vlorë është mjaft e qetë, ndërkohë që shtoi se kështu zgjedhësit dhe kandidatët do të fokusohen tek argumentet, tek alternativat dhe programet respektive.
Ai u interesua edhe për problemet e sigurisë në qytet, duke e lidhur këtë me faktin se Vlora është një vend bregdetar ku mund të zënë vend trafiqet e paligjshme, qoftë ai i qenieve njerëzore, por edhe i substancave të ndaluara me ligj. Nga ana e tij, prefekti Veçani saktësoi se ka një rënie drastike të kultivimit të bimëve narkotike krahasuar me 2009-ën, ndërkohë që rastet e trafikimit tashmë numërohen me gishta.
“Mendoj se në realitet, Shqipëria po kalon ditët e saj më të mira. Është e vërtetë që kemi pasur një problem artificial të krijuar nga dikush, por  këto janë sfidat e demokracisë.
Ne jemi të vendosur të ecim përpara kemi nevojë për solidaritet dhe që të tjetër të jenë të ndershëm ndaj shqiptarëve. Shqipëria vazhdon të ketë probleme, por ne jemi një model për tu ndjekur”, tha më pas ai. Gjithashtu në Parlamentin Evropian Eurodeputetët ndanë të njëjtin qëndrim se integrimi i Ballkanit në BE do të forcojë qëndrueshmërinë, paqen dhe demokracinë në rajon. Ata ritheksuan se dyert e BE-së janë të hapura dhe se Brukseli do të ndihmojë procesin e integrimit të rajonit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›