E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i SHBA: Policia të sigurojë mjedis neutral për zgjedhjet

Ambasadori Arvizu shprehet i shqetësuar për incidentet gjatë fushatës dhe i jep mbështetjen Policisë së Shtetit, për të siguruar një mjedis të qetë dhe neutral. I bën apel politikës, të mos ndërhyjë në punën e policisë

Tiranë Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu i kërkoi policisë shqiptare të sigurojë mjedisin e duhur për zgjedhjet e 8 majit. I shqetësuar për incidentet e ndodhura gjatë fushatës, diplomati amerikan ka shprehur mbështetjen për Policinë e Shtetit, në këtë situatë të cilësuar prej tij si të vështirë. “Para se të vija në këtë takim, pata mundësinë që të takohem me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, zotin Hysni Burgaj. I shpreha dhe i konfirmova atij të gjithë besimin që ne kemi te policia, në këtë situatë të vështirë, pas incidenteve që kanë ndodhur”, - tha ambasadori amerikan, gjatë seancës plenare të Konsorciumit Ndërkombëtar. Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përkrahin Policinë e Shtetit, duke i bërë të ditur drejtorit të Përgjithshëm, Hysni Burgaj se: “Është e rëndësishme që policia të sigurojë një mjedis të qetë dhe neutral për zhvillimin e zgjedhjeve lokale”. “SHBA i rikonfirmojnë policisë shqiptare gjithë mbështetjen, në përpjekjet për të siguruar një atmosferë neutrale parazgjedhore. Dihet që është e vështirë dhe se ka incidente, por trajtimi i tyre me profesionalizëm, është i nevojshëm për një garë të rregullt” - shtoi më tej Arvizu. Diplomati amerikan u bëri apel forcave politike të mos ndërhyjnë në punën e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si të një rëndësie të veçantë, pasi duhet të krijojë mjedis të qetë për qytetarët. Arvizu u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të vazhdojnë reformimin e policisë shqiptare, si një institucion profesional, neutral dhe i lirë politikisht. “Është e rëndësishme që çdo drejtori rajonale dhe komisariat policie, të dinë atë që ligji kërkon prej tyre. Kjo është e rëndësishme për suksesin e Policisë së Shtetit, si dhe përmbushja e detyrave të tyre, pa ndërhyrje politike” - tha ai. Ambasadori amerikan i bëri këto komente në mbledhjen e Konsorciumit Ndërkombëtar, ku u trajtuan rekomandimet e Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Aleksandër Arvizu u ndal edhe te puna e prokurorëve, duke pohuar se ata duhet të hetojnë në bazë të fakteve, pa ndërhyrje dhe trysni nga asnjë burim tjetër. Takimi mes ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe kreut të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, vjen pas situatës së tensionuar elektorale, gjatë së cilës janë shënuar mjaft incidente në qytete të ndryshme të vendit. Rivaliteti politik duket se është transferuar nga liderët politikë te simpatizantët apo aktivistët e të dyja kaheve, mes të cilëve ka pasur përleshje dhe konflikte të shpeshta, më së shumti për vendosjen e flamujve apo posterave elektoralë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›