E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Stop dhunës, flamujt e partive janë flamujt e pluralizmit

Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar elektoratit të shmangin dhunën dhe incidentet. Sulmon sërish Edi Ramën: Shoku Edi, vrapo sa të mundësh në rrugën tënde të vetme, shtëpia e të shkuarës po të pret dhe ka hapur dyert për ty. Ec me vrap drejt të shkuarës tënde.

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje nga Cërriku, që të shmanget çdo lloj dhune dhe incidenti. Gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për këtë bashki, Servet Duzha, Berisha kërkoi që kjo fushatë të jetë e përmasave europiane. “Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të shmangim çdo lloj dhune, çdo lloj eksesi, çdo lloj tensioni.

Flamujt e partive politike janë flamujt e pluralizmit shqiptarë dhe ne jemi qytetarët e pluralizmit, ne e duam pluralizmin politik dhe konsiderojmë atë lokomotivë e zhvillimit, lokomotivën e demokracisë shqiptare. Ju bëj thirrje drejtuesve të forcave politike të heqin dorë nga fjalët e kazanit, sepse ato nuk pajtohen me moralin, me vlerat, me fjalorin qytetar. Të shmangim çdo lloj nxitje, të bëjmë gjithçka që kjo fushatë të jetë fushata më evropiane që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë”, - tha dje Berisha në Cërrik. Kreu i ekzekutivit premtoi shndërrimin e këtij qyteti në një qytet ku investimet do të jenë gjashtë herë më të mëdha. “Në 4 vite, do të shndërrojmë Cërrikun në një qytet modern të zhvilluar, në një qendër të rëndësishme të zhvillimit në këtë rajon. Do ndërtojmë dhe rindërtojmë infrastrukturën më moderne, në rrugë, kanalizime, ujësjellësa, fusha sporti e pallate kulture, qendër shëndetësore e gjithçka meritoni”, - premtoi ai. Po dje, kryeministri Sali Berisha ishte në Manzë të Durrësit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Bujar Huqi, i cili rikandidon për këtë post. Berisha premtoi se kjo bashki do të kalojë në fazën përfundimtare të një qyteti të zhvilluar. Kryeministri tha se alternativa e mazhorancës është ajo e suksesit, ndërsa ajo e opozitës i përket disfatës. “Është e qartë si drita e diellit se alternativa jonë është alternativa e suksesit, alternativa e integrimit, alternativa me të cilën secili qytetar shqiptar, me mundin, djersën, përkushtimin, mendjen e tij, ndërton të sotmen dhe të ardhmen. Krahas kësaj alternative, në Shqipëri po endet alternativa e rrugës së vetmisë. Nuk kam ndërmend të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda me kundërshtarët e mi, me disfatat e tyre dhe alternativën e tyre. Por këtu nga Manza, do t’i them kryetarit të Partisë Socialiste: shoku Edi, vrapo sa të mundësh në rrugën tënde të vetme, shtëpia e të shkuarës po të pret dhe ka hapur dyert për ty. Ec me vrap drejt të shkuarës tënde. Ne së bashku do ecim në alternativën e qytetarit, në koalicionin e qytetarit, në besimin ndaj qytetarit, në besimin ndaj jush. Ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, komuniteti juaj është i pari, Manza është e para, Durrësi është i pari, Shqipëria është e para”, - tha dje Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›