Mangësitë e Kodit, 600 mijë zgjedhës rrezikojnë të mos votojnë
Rreth 600 mijë shtetas me të drejtë vote rrezikojnë të mos e ushtrojnë këtë të drejtë më 8 maj, në rast se palët politike nuk bien dakord, që të lejojnë të votojnë edhe ata persona që kanë pasaporta të vjetra, por që janë ende të ligjshme. Ligji zgjedhor nuk bën të qartë nëse në zgjedhje mund të marrin edhe ata shtetas që nuk kanë kartë identiteti elektronike apo pasaportë biometrike, por që zotërojnë një pasaportë të vlefshme për jashtë shtetit. Kjo temë pritet të ngjallë debat në ditët në vijim, pasi një nga dy dokumentet e mësipërm, pra kartë dhe pasaportë biometrike, kanë vetëm rreth 2.6 milionë shtetas, nga të cilët një pjesë e mirë pa të drejtë vote (me karta dhe pasaporta biometrike janë pajisur dhe fëmijët).
Diskutimi
Edhe në këto zgjedhje, ashtu si në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara vitet e fundit, mjetet e identifikimit të shtetasve me të cilën ata mund të paraqiten në qendrën e votimit do të kthehen në temë debati. Shenjat e para të këtij diskutimi janë shfaqur dje në mbledhjen e KQZ-së, ku përfaqësuesi socialist Gjonçaj ngriti shqetësimin e atyre mjeteve të identifikimit, me të cilin shqiptarët do mund të votonin më 8 maj. Sipas tij, Kodit aktual Zgjedhor në dispozitat e tij kalimtare, për zgjedhjet e shkuara parlamentare, kishte specifikuar se mund të votohej me pasaportat e vjetra të dala në bazë të ligjit 2000, ndërkohë që në dispozitat e përgjithshme evidentohet se mund të votohet vetëm me kartë dhe pasaportë. “Mjetet e identifikimit të zgjedhësve në qendrat e votimit. Me çfarë dokumentesh do të paraqiten zgjedhësit para qendrës së votimit, pasi në zgjedhjet e vitit 2009 ishin përcaktuar dhe pasaportat e tjera”, - u shpreh Gjonçaj. Lidhur me këtë shqetësim, kreu i KQZ-së bëri të ditur se ky problem do trajtohet në manualin që KQZ do të miratojë për Qendrën e Votimit, por pa bërë të ditur nëse do të lejoheshin pasaportat e vjetra apo jo. “Është pjesë e manualit tjetër dhe do diskutohet kur të paraqitet ai”, - u shpreh Ristani. Ndërkohë që burime nga të dyja partitë kryesore, kanë bërë të ditur se ky mbetet një shqetësim i madh pasi numri i shtetasve që nuk kanë pasaporta biometrike, apo karta identiteti, është i madh ndaj dhe pritet të bëhet pjesë e diskutimit ditët në vijim.
Kodi
Kodi Zgjedhor, në nenin 105 të tij, kur flet për paraqitjen e zgjedhësve në qendrën e votimit përcakton se ai mund të votojë vetëm nëse paraqet pasaportë ose kartë identiteti. “Pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit: a) zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare, të vlefshme të identitetit si më poshtë: kartë identiteti ose pasaportë”, - thuhet në nenin 105. Pra Kodi në këtë nen bën fjalë për pasaportë, por nuk qartëson nëse ajo duhet të jetë biometrike apo çdo lloj pasaporte tjetër. Megjithatë, ligjvënësi në këtë rast duket se ka pasur parasysh vetëm pasaportën biometrike, pasi në dispozitat kalimtare të tij dhe që kanë pasur të bëjnë me zgjedhjet e vitit 2009, sanksionohej se vetëm për këto zgjedhje do të lejoheshin të votonin dhe ata shtetas që kanë pasaporta të vjetra ose të dala, sipas ligjit të vitit 2000. “Në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2009, zgjedhësit mund të votojnë edhe me pasaporta të vlefshme, të lëshuara sipas ligjit nr. 8663 datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve shqiptar me pasaporta për jashtë shtetit”, - thuhet në kapitullin e dispozitave kalimtare në nenin 179 të Kodit Zgjedhor. Pra nga kjo dispozitë duket qartë se Kuvendi, në momentin e hartimit të Kodit Zgjedhor, ka parashikuar që në zgjedhjet e tjera, përveç atyre të vitit 2009, të votohej vetëm me pasaporta biometrike.
Neni 105
Paraqitja e zgjedhësit në qendrën e votimit
1. Pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit:
a) zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të vlefshme të identitetit si më poshtë:
i) kartë identiteti; ose
ii) pasaportë;
Neni 179
Pajisja e zgjedhësve me dokumente identifikimi për qëllime votimi
1. Në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2009, zgjedhësit mund të votojnë
edhe me pasaporta të vlefshme, të lëshuara sipas ligjit nr. 8663 datë
23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve shqiptar me pasaporta për jashtë shtetit”.