E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasadori i Shqipërisë në Hagë: Dje foli populli, liria ka zemër dhe zë

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Mbrojtja në gjykimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nisi sot me dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit është ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.

Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko, ka dhënë një prononcim për “Top Channel”.

“Dje foli populli”, u shpreh Kuko, ndërsa shtoi se shpreson për drejtësi në këtë proces gjyqësor.

“Unë kisha vetëm një koment të shkurtër: dje foli populli. Dhe ne kuptuan që liria ka jo vetëm emër por edhe zë të lartë, të fortë. Shpresojmë shumë për drejtësi në këtë proces”, u shpreh ai.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja ka nisur të paraqesë provat dhe dëshmitarët e saj lidhur me çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I pari që po dëshmon është James Rubin, ish-zyrtar i lartë amerikan dhe një njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

Dje shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në Hagë në protestën e thirrur në orën 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Duke reaguar pas protestës së zhvilluar në Hagë, kryeministri Edi Rama theksoi se e vetmja kërkesë është drejtësia.

“Drejtësi pra, drejtësi, vetëm drejtësi. Asgjë më shumë e asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe çlirimtarët e saj”, u shpreh Rama.

Protesta e 14 shtatorit, e thirrur nga diaspora shqiptare dhe e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), bashkoi shqiptarë nga vende të ndryshme të botës në shenjë solidariteti.

/gj.m//r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›