E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla: Kuvendi me 11 komisione, në funksion të anëtarësimit në BE

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një organizim të ri me 11 komisione, të cilët reflektojnë edhe momentin historik në të cilin gjendet vendi ynë.

Balla u shpreh në një prononcim për gazetarët, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, se mazhoranca ka ftuar edhe opozitën, siç është fryma e Rregullores, për të përcaktuar kryetarët e komisioneve.

“Kryetari i Kuvendit me shumë të drejtë që në seancën që u zgjodh i kërkoi grupeve parlamentare që të propozojnë menjëherë anëtarët e Këshillit për Rregulloren, të Këshillit për Legjislacionin. Pra, të marrin jetë institucionet ku mund të takohesh me opozitën. Nuk mendoj që duhet të konsultoheshim me opozitën përpara se Kuvendi të fillonte”, tha Balla.

Balla theksoi se, “Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar deri më tani dy seanca. Në seancën e tretë duhet që të ngremë institucionet edhe për pasojë pas tyre të marrim dhe vendimet përkatëse”.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një organizim të ri me 11 komisione, të cilët të reflektojnë edhe momentin historik në të cilin gjendemi, pra nevojën që Kuvendi ka për t’iu përqasur marrëveshjes për anëtarësim në BE, nevojën që Kuvendi ka që më në fund të kemi një komision parlamentar për diasporën”, tha Balla.

I pyetur për seancën e nesërme të Kuvendit, Balla tha se, “na duhet që brenda kësaj jave të shqyrtohen edhe dekretet për qeverinë, përbërjen dhe programin. Na duhet që të kemi gati edhe konferencën e kryetarëve për të diskutuar kohën e debatit. Është domosdoshmëri që të kalojmë këtë etapë të parashikuar nesër, në mënyrë që brenda kësaj jave të përmbyllim proceset e tjera”.

I pyetur lidhur me bashkimin e komisionit të integrimit me atë të çështjeve evropiane, Balla u shpreh se, “propozimi i ardhur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste i bërë publik nga kryetari i PS-së, Edi Rama është një ngritje në nivelin më të lartë të mundshëm të komisionit për Çështjet Europiane”.

“Kur ka nisur ky komision 20 vjet më parë në 2005-ën ishte një komision ku anëtarësia në këtë komision nuk përllogaritej si një anëtarësi në komisione, domethënë supozohej të ishte një komision i dorës së dytë. Ndërkohë që ky komision bëhet komisioni më i rëndësishëm. Dhe nuk shkon Komisioni i Jashtëm tek Komisioni për Çështjet Evropiane, por vjen Politika e Jashtme tek Komisioni për Europën”, tha Balla.

Balla theksoi se ky komision do të drejtohet nga mazhoranca.

“Pa dyshim, sikurse pothuajse në një pjesë të madhe të atyre parlamenteve që unë kam njohur dhe bashkë me kolegët që kemi punuar për këtë projekt kemi konsultuar në fazën që gjendet Shqipëria, ky komision duhet t’i takojë shumicës, si Bundestagu ku Komisioni për Çështjet Europiane drejtohet nga mazhoranca”, nënvizoi ai.

Balla u shpreh se, “pas këtyre ndryshimeve na duhet që të bëjmë disa ndryshime në ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, të cilat duhen, bërë dhe ftoj opozitën që t’i bëjmë së bashku”.

PS cakton emrat e kryetarëve të rinj të Komisioneve parlamentare nga mazhoranca

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, u mblodh ditën e sotme ku i pranishëm ishte edhe kryetari i PS, njëherësh kryeministri Edi Rama.

Sipas medieve, mbledhja e grupit të PS vendosi ndarjen e krerëve të komisioneve parlamentare:

Ulsi Manja do të drejtojë Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administrata Publike;

Bledi Çuçi do të drejtojë Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtja;

Igli Hasani do të drejtojë Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme;

Milva Ekonomi do të drejtojë Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat;

Anila Denaj do të drejtojë Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastruktura dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm;

Blendi Klosi do të drejtojë Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural;

Damiani Gjiknuri do të drejtojë Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore;

Fatmir Xhafaj do të drejtojë Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimi dhe Mbikëqyrja Institucionale;

Arbian Mazniku do të drejtojë Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale.

Ndërsa Partia Demokratike pritet të drejtojë 4 komisonet e tjera: Edukimi, Shkenca dhe Sportet; Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale; Të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik; Kultura, Turizmi dhe Diaspora.

PS në mbledhje grupi, Foto: Florian Abazaj 1 nga 5

/gj.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›