Ambasadori i ri amerikan, Arvizu: Shqipëria, një histori suksesi, një aleate e çmuar e SHBA-ve
I përzgjedhuri i presidentit Obama për ambasador në Tiranë, gjatë seancës së konfirmimit në Senatin Amerikan e ka cilësuar Shqipërinë si një histori suksesi dhe ka premtuar se do ta përdorë me mençuri ndikimin e SHBA-ve tek populli shqiptar
Kandidati i zgjedhur nga presidenti amerikan Barak Obama për të qenë ambasador i Shteteve te Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu foli në seancën për konfirmimin e tij në Komitetin për Marrëdheniet e Jashtme në Senat, për të shpjeguar misionin e ardhshëm dhe për të çuar më tej, siç tha ai, interesat e SHBA-së në Shqipëri. Seanca e nënkomisionit të Senatit për marrëdhënie me Jashtë u drejtua nga kryetarja e tij, Xhin Shahin dhe në të dëshmuan një numër diplomatësh të emëruar nga Presidenti Obama si ambasadorë në disa vende të Evropës.
Aleksandër Arvizu, i emëruar si ambasador në Shqipëri muajin e kaluar, tha sot në seancë se transformimi i Shqipërisë gjatë 20 vjetëve të fundit mund të quhet dramatik. Këto ndryshime dhe reforma të tjera të rëndësishme, tha ai, bënë që Shqipëria të meritonte anëtarësimin në NATO më 1 prill 2009. Sot, Shqipëria është një kontribuese në sigurinë globale dhe një aleate e besueshme e Shteteve të Bashkuara, tha zoti Arvizu. Ai shtoi se kjo dëshmohet nga dislokimi kohët e fundit i 44 trupave luftarake për të luftuar krah për krah me forcat amerikane në Kandahar të Afganistanit. Ky është dislokimi i parë i trupave luftarake nga Shqipëria që nga Lufta e Dytë Botërore, duke e çuar në rreth 300 numrin e përgjithshëm të ushtarëve shqiptarë pjesmarrës në forcën ndërkombëtare në Afganistan. “Shqipëria është një avokat i fortë i integrimit të Ballkanit Perëndimor në bashkësinë euro-atlantike, duke patur një fushatë për të kultivuar marrëdhëniet e mira me dhe ndërmjet fqinjëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në të njëjtën kohë, Shqipëria është një përkrahës kyç i politikës sonë për të shtuar njohjet diplomatike të Kosovës”, deklaroi Arvizu. Sa i takon zhvillimit ekonomik, Arvizu përmendi Shqipërinë si një ndër dy vendet në Europë që gjatë vitit 2009 shënoi rritje ekonomike, çka, sipas tij, parashikohet edhe këtë vit. Por siç tha ai, më shumë duhet bërë në Shqipëri. “Si një shtet aleat i NATO-s, Shqipëria duhet të aderojë në parimet më të larta të Aleancës. Respekti i plotë për sundimin e ligjit dhe institucionet e pavarura është ende i dobët, ndërsa korrupsioni ende i lartë”, tha Arvizu. “Nganjëherë duket se klasa politike është më e shqetësuar në rivalitetet e saj sesa me mirëqenien e qyterarëve të thjeshtë. Për një moment të shkurtër, përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, ishim dëshmitarë të një sensi jetëshkurtër të shpirtit bipartizan. Vëzhguesit objektivë ndërkombëtarë i vlerësuan këto zgjedhje si reflektuese të vullnetit të popullit. Për fat të keq, Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës ku ka vetëm të fituar ose vetëm të humbur dhe ku ka një mosbesim të thellë mes shumicës dhe opozitës. Një dialog konstruktiv mes palëve është shumë i vonuar dhe do ta ndihmonte Shqipërinë për të vënë në punë talentin e lindur dhe shkathtësinë e saj për ta çuar përpara”, është shprehur Arvizu. Në përfundim të fjalës së tij, ambasadori Arvizu theksoi se nëse konfirmohem, do ta përdor me mençuri ndikimin amerikan në Shqipëri.
Ambasadori Arvizu do të zëvendësojë në këtë detyrë ambasadorin Xhon Uithers, i cili sapo ka përfunduar turin e takimeve të lamtumirës me krerët kryesorë të institucioneve në vend.
...