Zgjaten oraret e zyrave për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike
Në një intervistë për Dojçe Velen, ministri Lulzim Basha flet edhe për përgatitjet që po bëhen në mënyrë që shpërndarja e dokumenteve biometrike tërndarja e dokumenteve biometrike të mundësohet së afërmi edhe pranë zyrave tona konsullore në vendet e BE
Ministria e Brendshme ka paraqitur pranë kompanisë konçesionare “Aleat” më 20 korrik kërkesën për aplikimin e orareve të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit për dokumenta identiteti pranë zyrave të Gjendjes Civile dhe në zyrat e shpërndarjes pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në qarqe. Në përgjigje të kësaj kërkese, kompania konçesionare “Aleat” po aplikon orare të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit në 77 bashki e komuna dhe në 21 zyra të shpërndarjes së dokumentave të identitetit. Në takimin e përditshëm mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë “Aleat” u konfirmua se janë marë të gjitha masat për mbajtjen hapur me orare të zgjatura, nga ora 08:30 deri në orën 19:00, në të 77 zyrat e aplikimit si dhe në 21 zyra të shpërndarjes. Këto zyra do të jenë të hapura dhe ditën e shtunë. Ditën e dielë do të jenë të hapura zyrat e aplikimit në 12 qytete qendër qarku si dhe në bashkitë Kavajë, Lushnje, Sarandë, Kamëz si dhe në komunën Paskuqan. Në të njëjtën mënyrë do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes. Deri ditën e djeshme datë 04.08.2010 kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi 880 mijë shtetas dhe janë prodhuar mbi 840 mijë pasaporta biometrike.
Ministria e Brendshme i kërkoi kompanisë koncesionare “Aleat” që nëse do të ketë fluks qytetarësh dhe në bashki e komuna të tjera, të aplikohet regjimi i mësipërm si dhe të shtohet numri i bashkive e komunave ku punohet dhe ditën e dielë varësisht nga fluksi i qytetarëve.
Intervistë e Ministrit të Brendshëm Z. Lulzim Basha për Dojçe Velen
Zoti Ministër, në këto ditë të gushtit ka një fluks të madh aplikantësh në zyrat e pajisjes me dokumentet e reja të identitetit, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë. çfarë masash ka marrë institucioni juaj për të lehtësuar procesin e aplikimeve?
Për këtë sezon veror, sikundër dhe atë të kaluarin, Ministria e Brendshme ka kërkuar nga kompania koncesionare “Aleat” mbajtjen hapur të zyrave tej orarit zyrtar, po kështu për të punuar ditëve të shtuna e të diela. Siç dhe e kemi bërë të ditur nëpërmjet njoftimeve që kemi bërë publike, oraret janë zgjatur dhe në qendra të caktuara ku fluksi është i madh do të fillojë operimi duke nisur nga kjo fundjavë edhe të shtunave e të dielave, që shpresojmë se do të ndihmojë në përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm që përjetojnë këto zyra në sezonin veror për shkak të ardhjes së një numri shumë të madh të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.
është folur për një proces të aplikimit për dokumentet e reja të identetitit pranë zyrave konsullore në shtetet ku ka përqendrim të madh të emigrantëve shqiptarë, psh., në Greqi, Itali a gjetkë. Sa e mundshme është kjo z. Basha?
Në një perspektivë afatmesme ka përfunduar një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë koncesionare “Aleat” për hapjen e zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit në Romë, Milano, Athinë e Selanik. Ndërkohë që është lënë hapur mundësia për të shqyrtuar hapjen e këtyre zyrave edhe në poste të tjera konsullore të vendeve të BE-së. Kjo marrëveshje është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe do t’i paraqitet për miratim përfundimtar Parlamentit dhe menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare do të nisë procesi i aplikimit për kartat e pasaportat biometrike pranë këtyre 4 posteve konsullore që përmenda dhe sipas nevojave edhe në poste të tjera konsullore për t’u ardhur në ndihmë më afër qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vendet e BE-së.
Pajisja e shtetasve me dokumentet e reja të identifikimit është ndër kushtet për të përfituar nga procesi i liberalizmit të vizave të qytetarëve shqiptarë. Ju keni deklaruar kohët e fundit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Parlament se tashmë Shqipëria i ka plotësuar edhe tri kushtet e mbetura. Ku jeni bazuar në këto qëndrime?
Në raportimin tim në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare jam shprehur i bindur se puna e bërë me përkushtim, profesionalitet dhe me fokus të plotë nga të gjitha institucionet e përfshira në procesin e përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, në veçanti të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit ka sjellë rezultate të dukshme, të prekshme dhe të konstatuara qartë nga partnerët tanë, në veçanti nga Komisioni Europian dhe ekspertët e tyre. Natyrisht janë këta ekspertë dhe Komisioni që do të thonë fjalën e fundit. Unë e bazoj bindjen time në faktin se për të tre kriteret, qoftë ai për riintegrimin e të riatdhesuarve, apo kriteret e tjera që kanë të bëjnë me forcimin e kapaciteteve në luftën kunder krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në identifikimin e aseteve kriminale, vendi ynë ka ndërmarrë hapa jashtëzakonisht të mëdhenj përpara duke aprovuar kuadrin ligjor të domosdoshëm, që shpesh here është dhe në pararojë të kuadrit ligjor në rajonin e Ballkanit, duke formuluar plane konkrete veprimi, lehtësisht të matshme dhe të mbikqyrshme nga autoritetet sa i takon rezultateve që japin dhe duke i dhënë të gjitha institucioneve, në veçanti Policisë së Shtetit, por dhe të tjerave që kanë përgjegjësi në këtë luftë, instrumentat e nevojshëm financiarë, njerëzorë, materialë, për të plotësuar të gjitha objektivat që dalin si rezultat i miratimit të këtij kuadri ligjor dhe plan veprimeve përkatëse.
...