E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama rikthen rojet operative të gatishmërisë ekonomike

Revolucioni kulturor kinez kur hyri në Shqipëri prodhoi një tjetër çmenduri: ROGL-at në çdo qendër fshati a qyteti. Ta ilustrojmë shkurt për më të rinjtë që se dinë se me çfarë kishin të bënte rinia shqiptare në burgun monist; gjatë komunizmit, tmerri më i madh ta zëmë për një merceolog në fshatrat e Rrëshenit ishte prova e evakuimit të Mapos pas një sirene alarmi të ROGL-it (roje operative e gatishmërisë luftarake) ku bënin dezhurn me turne ushtarakët, mësuesit, ndihmësmjeku i fshatit dhe agronomët. Zbore të pakuptimta për një luftë që nuk do të vinte kurrë, sepse bota kishte halle të tjera sesa të merrej me një klikë gjakatare që sundonte dhunshëm mbi njerëzit e vet. Gjithsesi ajo kohë shkoi. Mirëpo në forma të reja dhe më komike ROGL-et po rikthehen nga lideri i PS-së Edi Rama, i cili me një biçim grafiku po u bën dezhurn politik deputetëve në pisk të vapës, dhe sigurisht jo për të bërë më evakuimin e zakonshëm, por konferenca të panumërta shtypi. Një grup prej 5 deputetësh janë kthyer fiks si roje operative e gatishmërisë luftarake, kurse grupet e tjera kanë shkuar të nxijnë lëkurën në plazhet përrallore të Dubait, të Mesdheut, për të ardhur më pas të bëjnë pretencën akuzuese qeverisë.
është një përvojë e dezhurnit socialist që përputhet shumë mirë me mungesën totale të respektit që Edi Rama ka për Parlamentin e për Institucionet. Sigurisht dje ka qenë radha e kushtrimit të Ilir Beqes që i ra çangës së rritjes së borxhit publik, dhe deklaroi se kjo qeveri nuk i nevojitet shqiptarëve. Ai vapëtoi se “Borxhi publik i Shqipërisë vazhdon të rritet. Aktualisht, niveli i borxhit ka kapur shifra marramendëse, të paimagjinueshme për vende si i yni; plot 7,3 miliardë dollarë”. Bukur fort. Një pyetje Beqjes, duke marrë me mirëbesim shifrat e tij: përsa kohë është akumuluar ky borxh? Vetëm pasi erdhi në pushtet Berisha në 2005 ka filluar të marrë borxhe Shqipëria? A keni ndërgjegje profesionale në atë çka deklaroni ju dhe partia juaj, apo jo? Si ka mbijetuar Shqipëria nga viti 1991-2005, pa borxhe? Vetëm Enver Hoxha deklaronte se jemi i vetmi vend pa taksa dhe pa borxhe. Për tej budallallëqeve: a është e vërtetë që kemi trashëguar borxhe nga periudha e socializmit, bile ka ende borxhe të pashlyera nga ajo në të cilën këto ishin të ndaluara me Kushtetutë. Apo nuk doni të lëndoni shokët e partisë, Ramiz Alia, Fatos Nano, Pandeli Majko, e të tjerë të dorës tuaj?
Ilir Beqja duhet të kuptojë një gjë, se kur del ai në konferencë për shtyp vetëm rrjedhje votash ka Partia Socialiste, kurse qytetarëve të tjerë u jep përshtypjen se është fatkeqësi për këtë vend që një persona si ky – që me shumicë janë në PS-së të paguhen me taksat tona për të mbjellë panik dhe për të sekuestruar me çdo mënyrë proceset pozitive në vijim.
Sidoqoftë Opozita nuk lodhet së propaganduari se ekonomia shqiptare u godit fort nga kriza botërore. Doktrina ekonomike opozitare u bënë pjesë e avitjes radikale pas grevës halucinante të urisë, përfshirë këtu akuzat për manipulim të shifrave ekonomike nga INSTAT-i, nga Banka e Shqipërisë, si edhe FMN-ja e paska gabim. Mirëpo të dhënat paraprake të 3 mujorit të dytë 2010 paralajmërojnë që rritja e këtij 3 mujori do të jetë edhe më e lartë se e 3 mujori i parë. Për më tepër, kjo e këtij viti është një rritje ekonomike në mungesë të ndonjë stimuli të fortë fiskal, pra është një rritje nga sektori privat dhe mjaft e shëndetshme. Nuk hallakatje mendore të thuash se performanca e ekonomisë shqiptare përgjatë 2009-s dhe 3 mujorit të parë të 2010-s tejkaluan pritshmërinë e FMN-së, e cila nga ana e saj ri-plotësoi me më shumë optimizëm parashikimet e saj për fundvitin 2010 dhe dy vitet pasardhëse. Qeveria Berisha është shprehur se ekonomia shqiptare është mjaft dinamike. Dhe se turizmi po njeh bumin më të madh në histori. Shqipëria kryeson dhe është jashtëzakonisht pozitive se kryeson me një ekonomi reale, mundi, djerse, mendjeje dhe muskujsh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›