Ambasadorja franceze: Merrni shembull nga Franca për presidentin
Fryma e unitetit, e bashkimit kombëtar dhe jo ndasitë politike duhet të karakterizoje procesin e zgjedhjes së presidentit, që duhet të bëhet qetësisht dhe në respekt të Kushtetutës. Ky është qëndrimi i Francës në lidhje me temën më të nxehtë të politikës në Shqipëri, atë të zgjedhjes së presidentit te ri, i shprehur përmes ambasadores Christine Moro, e cila ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit ZIP në Vizion Plus. Sipas diplomates, Franca dha shembullin më të mirë të unitetit në këtë aspekt, kur pas humbjes Sarkozy tha se zoti Hollande është presidenti i të gjithë francezëve dhe duhet respektuar si i tillë. Megjithatë, ajo theksoi se zgjedhja e presidentit mbetet një çështje ekskluzive për vetë shqiptaret. Diplomatja u ndal gjatë edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në Francë, ndërsa theksoi se kreu i ri i Elizese nuk pritet të sjellë asnjë ndryshim për sa i përket politikave për Shqipërinë dhe shqiptarët, si edhe prioriteteve të Parisit zyrtar për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Sipas saj, të vetmet ndryshime që pritet të ndihen do të jenë ato që kanë të bëjnë me politikbërjen dhe rolin e Francës në BE dhe veçanërisht në eurozonë.