Topalli viziton Slloveninë për të kërkuar mbështetje për marrjen e statusit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një takim në Slloveni me homologun e saj, kryetarin e parlamenti slloven, Gregor Virant.
Nuk dihet se pse kryetarja Topalli, e cila shquhet për udhëtimet e shumta të saj, e ndërmori këtë vizitë. Në njoftimet e zyrës së shtypit të saj nuk thuhet asgjë përveçse Topalli ka qenë atje për ti falënderuar që mundësuan heqjen e vizave me Shqipërinë dhe për të kërkuar ndihmë prej tyre për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Sllovenia është një ndër vendet e rëndësishme të Bashkimit Evropian, e cila gjatë gjithë procesit ka qenë në mbështetje të Shqipërisë. Kujtoj qëndrimin e tyre për heqjen e vizave, ka qenë i jashtëzakonshëm, një impenjim total për të bërë që shqiptarët të lëvizin pa viza. Dhe sot jam në këtë vizitë zyrtare pikërisht për ti kërkuar Sllovenisë dhe kolegut tim të Parlamentit slloven por edhe të autoriteteve të tjera të larta të shtetit për të mbështetur Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat, tha Topalli.
Kurse homologu i saj tha: Ne gjithmonë e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim fort Shqipërinë në perspektivën e saj Evropiane. Shpresojmë se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat sa më shpejt të jetë e mundur. Urojmë më të mirën për procesin e reformave në vend dhe jemi absolutisht të sigurt, se perspektiva e Shqipërisë do të jetë në Bashkimin Europian.