Ambiciet Likës: Ndërtimi i një ekipi solid
I rikthyer në stolin durrsak, trajneri kryeqytetas që u ka dhënë “djemve të detit” titullin e vetëm, beson te projekti
Për të lënë pas me shpejtësi një sezon të vështirë, si ai i fundit, Teuta kërkon të formojë një skuadër solide, ku objektivi ndonëse i padeklaruar, është qëndrimi jashtë zonës së ftohtë të renditjes, ndërsa ëndrra; një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Tekniku, Hasan Lika, një njohje e vjetër e durrsakëve mund t’i garantojë stabilitet bregdetarëve, që ndërkohë po punojnë edhe me merkaton dhe emri i fundit në organikë është ai i mbrojtësit, Vlado Markoviç. “Ne jemi në fazën e fillimit të procesit stërvitor. Shpresojmë që koha që kemi në dispozicion të na japë mundësinë të krijojmë një skuadër në bazën që ka pasur në sezonin e kaluar, një skuadër më të fortë e më të suksesshme” - thotë Lika. Vështirësitë e shfaqura në edicionin e kaluar, kanë bërë që Teuta të jetë shumë e kujdesshme në ndërtimin e skuadrës, pasi për arritje të rëndësishme duhen lojtarë të rëndësishëm. Lika pret ende lëvizjet e klubit sidomos në sulm, ku rikuperimi i Mirel Çotës, duhet vlerësuar me performancat në fushë, kështu që është e nevojshme mbërritja e një lojtari me përvojë. “Pavarësisht momentit jo të mirë, të fundit të kampionatit të vjetshëm, Teuta është një skuadër që ka pretenduar gjithmonë të jetë sa më lart. Pretendimi ka të bëjë me organikën e skuadrës. Mendojmë që duhet të ngjitemi sa më lart në klasifikim” - thotë Lika. Ndërkohë, dy futbollistët kosovarë që ishin nën vëzhgimin e durrsakëve, duket se nuk kanë bindur, kështu që vëmendja është kthyer sërish në kampionatin tonë, edhe pse asnjë emër nuk bëhet e ditur nga presidenca e Teutës.